E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkopi, gjykata liron nga burgu babanë e Bekim Çengës

 

PESHKOPI - Gjykata e Faktit Dibër ka vendosur daljen nga burgu të shtetasit Ylli Çenga, babai i 10-vjeçarit të ekzekutuar 1 vit më parë. Ky vendim i gjykatës lokale është zbatuar dje. Vendimi i togave të zeza ka mbërritur në burgun e Burrelit, vendim ky që është zbatuar nga autoritetet e këtij institucioni. Mësohet se Gjykata e Dibrës ka vendosur që Çenga të qëndrojë në arrest shtëpie deri në vendimin përfundimtar të gjykatës për akuzën që rëndon ndaj tij, atë të vrasjes së mbetur në tentativë. Arrestimi i Çengës u krye në gusht të këtij viti, pas një sherri me kushëririn e Shpëtim Zizës, autorit të dënuar për vrasjen e Bekim Çengës dhe Yllit. Familja Xhediku akuzoi Çengën se kishte tentuar ta vriste djalin e tyre në lagjen "Kamen" të qytetit të Peshkopisë. Sipas gjykatës nuk është e provuar se Çenga ka shtënë me armë ndaj Xhedikut, madje nuk është gjetur as arma që policia pretendonte se e kishte bllokuar në momentin e ngjarjes. Mungesa e provës është bërë objekt për rikërkesën e masës së sigurisë ndaj Ylli Çengës, duke çuar në lënien e qelisë nga ana e tij. Këto ditë familja Çenga ka përjetuar sërish ngjarjen e rëndë, pasi u mbush 1 vit që kur 10-vjeçari u gjet i masakruar në një lagje periferike të qytetit. Krimi tronditi banorët e qytetit, por pavarësisht dyshimeve dhe akuzave të vetë familjes së viktimës, policia e Peshkopisë akuzoi dhe ndaloi si të vetmin fajtor për masakrën 19-vjeçarin Shpëtim Ziza, i njohur si person me probleme mendore. Ai u dënua nga gjykata me burg të përjetshëm, dënim që po e kryen aktualisht në burgun e Fushë-Krujës. Ndërsa familja e tij u shpërngul nga banesa nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme, tre muaj më parë, babai i Bekim Çengës u arrestua për tentativë vrasjeje. Kushëriri i parë i Shpëtim Zizës, fqinj me familjen Çenga, e akuzoi atë se e kishte qëlluar me pistoletë disa herë. Menjëherë pas denoncimit policia e Peshkopisë e ndaloi atë, bashkë me të vëllanë, të cilit iu gjetën dy armë pa leje, por asnjëra prej tyre nuk korrespondonte me gëzhojat në vendngjarje. Për pasojë, mungesa e armës bëri që organi i akuzës të mos arrinte të dokumentonte ngjarjen, aq sa e zbuti masën e sigurisë për Ylli Çengën.                                   e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›