Donizeti rikthehet në TKOB me Luçien e Lamermorit
Një nga autorët e njohur, kryesisht për gjininë e operas bufa, siç është italiani Gaetano Donizeti, rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë me operan “Luçia e Lamermorit”, e cila do të ngjitet në skenë këto ditë. “Lucia di Lamermoor” nuk ishte i pari sukses i madh i Donizetit në llojin e operës “serioze”; Anna Bolena (1830), Lucrezia Borgia (1833) kishin qenë të tilla gjithashtu. Madje, kjo e fundit, deri në fillimin e shekullit tonë ishte vënë në skenë rregullisht. “Por ‘Luçia e Lamermorit’ edhe sot e kësaj dite bën pjesë në repertorin e zakonshëm teatror”, - do të shprehej maestro Zhani Ciko. Kjo opera është vënë në skenë në Napolin e goditur nga kolera, nën një klimë të ashpërsuar të kulturës së censuruar, duke shënuar kështu një etapë themelore për melodramën romantike të 800-ës, mbi të gjitha për lirizmin e jashtëzakonshëm të protagonistes, e cila shpëtimin nga meskiniteti i burrave e gjen në çmendurinë verbuese. Sa i takon kompozitorit italian, para se në 26 shtator 1835 të vihej në skenë në San Carlo të Napolit “Lucia di Lamermoor”, 38-vjeçari Gaetano Donizetti kishte kompozuar ndër 17 vite 43 opera. Suksesi i parë në arenën ndërkombëtare për Donizetin u arrit në vitin 1830, me Anna Bolena, shkruar prej tij vetëm në tridhjetë ditë për Teatrin Carcano të Milano-s, ku autori tregoi një maturi të plotë artistike. Karriera e bergamezit Gaetano Donizetti sigurisht nuk ishte nga më të lehtat. Nxënës i Simone Mayr, pak më shumë se 20 vjeç, shfaqet në panoramën muzikore të epokës së tij dhe iu desh të përballej me dominimin e Rosinit dhe me Belinin që ishte një hap larg famës. Donizeti gjendej në pozicionin klasik i treti që prish punë. Rivali i tij i vërtetë ishte Belini; me të atakimi ishte direkt. Kur në vitin 1830 Donizeti më në fund triumfoi në Milano me operan “Anna Bolena”, triumfi i “Sonnambula” e “Norma” beliniane e errësuan këtë sukses një vit më vonë. Më 1832, pas dështimit të “Ugo, conte di Parigi”, publiku milanez i Teatrit Cannobiana duartrokiti “L'elisir d'amore”, mbi libretin e Felice Romani, nxjerrë nga një komedi e Eugène Scribe. Vitin që pasoi, gjithmonë në Milano, u prezantua me sukses “Lucrezia Borgia”, për të cilën Donizeti parashikon një vendosje të re të orkestrës: atë që përdoret edhe sot, me harqet e vendosur në gjysmërreth përpara podiumit. Më pas, Donizeti mori një ftesë nga Rossini për të shkruar një opera për “Théâtre des Italiens” të Parisit: lindi opera “Marin Faliero”, mbi libretin e Bidera-s, që u vu në skenë më 12 mars 1835, por pa sukses. Kishin kaluar dy muaj nga prezantimi i “Puritani” të Vincenzo Belinit, kur në skenë u shfaq “Lucia di Lammermoor”. Vlerësimi mes Belinit dhe Donizetit në fakt nuk qe kurrë reciprok: i pari nuk ia kurseu kritikat të dytit, që gjithmonë e admiroi muzikën e katanezit (Belini vdiq atë vit dhe Donizeti shkroi për të “Messa da Requiem”). Në teatrin “San Carlo” të Napolit premiera e “Lucia di Lammermoor”, mbi libretin e Salvadore Cammarano, qe një triumf. Opera u konsiderua një kryevepër.
29 Tetor 2008