E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Del Ponte të vijë në shtëpinë time"

 

MAT/ ENVER DOÇI

"Të vijë në shtëpinë time prokurori serb bashkë me Karla del Ponten, që të marrë fund kjo histori". Abdulla Katuçi, sot 74 vjeç akuzon nga fshati i tij Gurrë në Mat ish-kryeprokuroren e Hagës, se ka shkaktuar tronditje në familjen e tij. "Prej kohës që ajo shkroi se tek ne bëhej transplanti i ushtarëve serbë, të gjithë po na shohin me sy tjetër", shprehet ai. I moshuari ka mësuar nëpërmjet medias, se në Tiranë ndodhej një prokuror serb dhe se ai kishte shprehur dëshirën të vizitonte fshatin Gurrë, për të parë nga afër pretendimet e Karla del Pontes: se pikërisht në këtë banesë majë malit kryhej transplanti i organeve të ushtarëve dhe qytetarëve serb. I inatosur dhe i mërzitur me gazetarët, ai u shpreh dje pasdite, se kishte qëndruar gjithë ditën në shtëpi dhe kishte pritur nëse prokurori serb do të ishte vizitor në banesën e tij në fshatin Rripë të komunës Gurrë. "Po vuajmë prej 4 vitesh. Na kanë bërë spiunë e çfarë kanë dashur. Tani dhe njerëzit na shohim me sy tjetër. Ka nga ata që mendojnë se këtu vërtet është kryer transplant organesh. Vazhdojnë me atë historinë e njollave të gjakut kur ne kemi dhënë sqarime të plota për prokurorët e Hagës. Në dhomat e katit të parë të shtëpisë tonë, dhoma të cilat nuk kanë qenë të shtruara me çimento, pllaka apo dërrasë ne kemi therur bagëti. Po ashtu, kemi sqaruar me mjaft njerzillëk se në njërën nga dhomat e shtëpisë nusja e djalit tim ka lindur dy fëmijë. Atëherë nuk kishte shtëpi lindjeje në fshat dhe nuk kishim rrugë tjetër. Gati të gjitha gratë e fshatit tonë lindin në kushte shtëpiake. Ne i sqaruam mirë hetuesit e Hagës, por Del Ponte nuk bëri hiç mirë, që publikoi fakte të pavërteta në një libër të saj", shprehet plot mërzi plaku nga Mati. Duke vijuar më tej, Katuçi, tha se kishte dëshirë të kishte në shtëpinë e tij prokurorin serb dhe njeriun që akuzoi familjen e tij për transplant të organeve. "Desha të kisha në shtëpinë time prokurorin serb, por së bashku me Del Ponten. Të vinte dhe ajo këtu dhe të kuptonte se ka gabuar rëndë kur ka ngritur akuza kaq të tmerrshme për shtëpinë tonë, një shtëpi që vazhdimisht ka pritur e përcjellë mysafirë. Unë kam pritur si malësor dhe hetuesit e Del Pontes. Ata erdhën, bastisën shtëpinë, kontrolluan dhe ikën. Pas katër vjetësh kuptojmë nga media, se ata kishin ardhur me tjetër mision në fshatin tonë". Megjithatë, Katuçi shton se do të mund t'ua falë të gjitha: përmbysjen e shtëpisë, nxjerrjen jashtë për dy ditë të gjitha pjesëtarëve të familjes, madje dhe një fëmijë gjashtë muajsh, por akuzën se në shtëpinë e tij është kryer transplant organesh nuk mund ta përtypë. Plaku i moshuar nuk fajëson shumë Del Ponten e hetuesit e saj, por ai vazhdon të jetë i shqetësuar, se megjithëse ka kërkuar sqarime nga autoritetet e shtetit shqiptar, ende askush nuk i është përgjigjur atij. "I kam dërguar shumë letra e telegrame Presidentit, Kryeministrit, Kryeprokurores, Avokatit të Popullit, Kryeministrit të Kosovës dhe kam pritur me durim mbështetjen e tyre. Akuza nuk duhet lidhur thjesht dhe vetëm me familjen time. Kjo është një akuzë që rëndon mbi të gjithë popullin tonë, se është një vrer mbi të gjithë shqiptarët".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›