“Delijorgji”, Prokuroria u ankua jashtë afatit në Gjykatën e Lartë
TIRANE - Prokuroria është ankuar jashtë afateve ligjore për Mihal Delijorgjin në Gjykatën e Lartë. Ky fakt ka dalë në mbledhjen e KLD-së të dy ditëve më parë, kur u vendos shkarkimi i gjykatësve që falën në dhjetor 2007, biznesmenin e arrestuar për Gërdecin. Pas firmosjes së pushimit të çështjes penale për Delijorgjin dhe rrëzimin e padisë civile ndaj tij, mbrojtja e të pandehurit ia ka arritur qëllimit, duke mos paraqitur rekurs në Shkallë të Tretë. Po kështu, edhe Prokuroria nuk i është drejtuar në kohë gjykatës duke u bërë shkak, që çështja e tij të mos pranohet për gjykim nga Kolegjet Penale të Gjykatës së Lartë. Ende nuk ka një vendim të Shkallës së Tretë kundër kreut të kompanive “Përparimi” dhe “Albademil” në lidhje me akuzën e “evazionit fiskal”, por pritet që të shpallet refuzimi i rekursit për shkak të shkeljeve të procedurave të ankimit. Gjatë mbledhjes së zhvilluar në KLD për shkarkimin e tre gjykatësve, që firmosën pafajësinë Shaqir Gradica, Naum Pejo dhe Ylli Minka, mësohet se ministri i Drejtësisë, i cili kërkoi shkarkimin e tyre, ka pohuar se Gjykata e Lartë nuk ka vendosur asgjë për ankimin e Pprokurorisë në çështjen “Delijorgji”. Të paktën pas pafajësisë që i dhanë tre gjykatësit ushtarake të komanduar në Apelin e Durrësit, bosit të kompanive “Përparimi” dhe “Albademil”, iu dha e drejta për të lidhur marrëveshjen fitimprurëse për demontimin e predhave në Gërdec, që më pas shkaktoi tragjedinë e 15 marsit. fa.ma.