E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapat për investim me bono thesari

31/01/2011  Për vlerën që kthehet nga investimi me bono thesari aplikohet tatimi prej 10 për qind

Investimi i sigurt, shtohet interesi i qytetarëve për të blerë borxhin e qeverisë

Të blesh borxhet e qeverisë është një mënyrë e mirë për të investuar kursimet. Vitet e fundit gjithnjë e më shumë interesi i shqiptarëve është kthyer nga ky lloj transaksioni, i cili rezulton akoma më fitimprurës nëse vijon në vite. Thënë më ndryshe nëse individi riinveston paratë që fiton nga investimi. Qeveria blen para dhe për këtë u paguan individëve interesa. Normat e interesit në fakt gjatë këtij viti kanë pësuar një rënie, por ky investim mbetet më i sigurt sa i përket parave që përfitohen, pasi bonot e thesarit nuk humbasin asnjëherë, në krahasim me një bankë që mund të falimentojë. Shuma minimale që duhet për të marrë pjesë në blerjen e bonove të thesarit është 300 000 lekë. Shuma maksimale e lejuar është deri në 30 milionë lekë. Ndërsa, kërkesa me një shumë më të madhe se 30 milionë lekë konsiderohet automatikisht si kërkesë konkurruese.

Investimi

Individët mund të marrin pjesë në ankandet për blerjen e Bonove të Thesarit nëpërmjet bankave tregtare të licencuara për tregtimin e letrave me vlerë. Shërbimi kryhet jo vetëm në Tiranë, por edhe në sportelet e Bankës së Shqipërisë në Shkodër, Elbasan, Korçë, Lushnjë dhe Gjirokastër. Procedura është e thjeshtë dhe pagesa e komisionit për pjesëmarrjen në ankand është vetëm 1 000 lekë. Mjafton që individi të çelë një llogari personale “Eskrow” pranë zyrës së Bonove të Thesarit. Me anën e bankave tregtare duhet të urdhërojë transfertën e fondeve që do të investojë, për në llogarinë Eskrow në Bankën e Shqipërisë. Më pas duhet të paraqitet me një kopje të urdhër-transfertës pranë Zyrës së Bonove të Thesarit, në Bankën e Shqipërisë, për të plotësuar kërkesën për pjesëmarrje në ankandin e bonove të thesarit.

Ankandi dhe shitja e bonove

Në ditën e shitjes së Bonos së Thesarit ose në çdo kohë pas saj, individi ka të drejtë të tërheqë pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë, “vërtetimin mbi shpalljen fitues”, si dhe përfitimin e tij në para. Nëse kërkesa që ka bërë një individ nuk ka fituar atëherë ai duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me fondet. “Nëse do të kërkojë ti tërheqë fondet, ato do ti paguhen nëpërmjet transferimit të tyre, në llogarinë e tij në bankat tregtare. Për këtë transfertë, Banka e Shqipërisë nuk aplikon komisione. Në rast të riinvestimit të tyre duhet të plotësojë një kërkesë për pjesëmarrjen në ankandin që dëshiron të marrë pjesë”, - theksojnë ekspertët e BSH-së. Për këtë individi duhet të paraqesë “vërtetimin mbi shpalljen fitues”.

Bonot e Thesarit

Bonoja e Thesarit e qeverisë shqiptare janë borxhe të negociueshme me maturim deri në një vit, që emetohet dhe garantohet nga qeveria. Bonot e Thesarit emetohen në monedhë kombëtare lekë dhe kanë afate maturimi 3, 6 dhe 12 -mujore. Bonot e Thesarit emetohen ose nxirren për shitje nga qeveria nëpërmjet ankandit. Kjo formë nënkupton që investitorët duhet të konkurrojnë për blerjen e këtij instrumenti. Konkurrenca realizohet nëpërmjet vendosjes së normës së interesit që quhet yield i bonove të thesarit. Yield-i i bonove të thesarit është bazë për llogaritjen e çmimit të blerjes së bonos të thesarit, nëpërmjet një formule të posaçme. Tregtimi i një bonoje thesari mund të bëhet deri në 7 ditë para maturimit. Tregtimi mund të bëhet me subjektet e licencuara ku bëjnë pjesë edhe bankat tregtare. Në datën e maturimit të Bonos së Thesarit, aplikohet tatimi mbi interesin e përfituar nga investimi prej 10 për qind.

Ankandet

Kalendari i ankandeve të emetimit të bonove të thesarit përcaktohet nga qeveria. Normalisht, ankandet për emetimin e bonove të thesarit me afat maturimi 3 dhe 6-mujor, organizohen një herë në muaj, ndërsa ankandet për emetimin e bonove me afat maturimi 12 –mujor organizohen çdo dy javë. Ankandet normalisht zhvillohen ditën e martë, ndërsa emetimi i letrës bëhet dy ditë më vonë, ditën e enjte. Zhvillimi i ankandit njoftohet paraprakisht nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë nëpërmjet publikimit të informacionit në faqet respektive të internetit.

Kërkesat

Individët mund të marrin pjesë në ankandet e emetimit të bonove të thesarit me kërkesa konkurruese ose jokonkurruese. Pjesëmarrja me kërkesë konkurruese nënkupton vendosjen e një interesi (yield-i) mbi bazën e të cilit do të llogaritet çmimi që investitori preferon të paguajë për blerjen e bonos së thesarit. Pjesëmarrja me kërkesë jokonkurruese nënkupton pranimin e yield-it mesatar të ponderuar, i cili do të llogaritet si mesatare e ponderuar e yield-eve të kërkesave konkurruese të shpallura fituese.

Individi duhet që para ankandit që zhvillohet në sportelet e Bankës së Shqipërisë:

1. Të çelë një llogari Eskrow pranë Zyrës së Bonove të Thesarit. Kjo llogari është personale (pra nuk mund të jetë për më shumë se një person).

2. Nëpërmjet bankave tregtare, të urdhërojë transfertën e fondeve që do të investojë, për në llogarinë Eskrow në Bankën e Shqipërisë.

3. Të paraqitet me një kopje të Urdhër transfertës pranë Zyrës së Bonove të Thesarit, në Bankën e Shqipërisë, për të plotësuar kërkesën për pjesëmarrje në ankandin e bonove të thesarit.

Komisioni për pjesëmarrjen në ankandet e bonove të thesarit nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë është 1 000 lekë.

AMF: Rritja prej 1,241.88 milionë lekësh ose 42.09% krahasuar me 2009-ën

Tregu në 2010-ën u mbizotërua nga

investimi me bono i individëve

Individët kanë blerë më shumë borxhe të qeverisë gjatë vitit që kaloi. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për zhvillimet e Tregut me Pakicë të Letrave me Vlerë të Qeverisë, ka një rritje të transaksionit “Blerje nga individët para afatit të maturimit” prej 1 ,241.88 milionë lekësh ose 42.09 për qind krahasuar me vitin 2009. Edhe si numër transaksionet nga individët janë në rritje prej 54.67 për qind. Në total, tregu sekondar i letrave me vlerë të qeverisë u dominua nga transaksionet në instrumente afatshkurtër ose bono thesari prej 87.18 për qind dhe 12.82 për qind nga instrumente afatgjatë ose obligacionet. “Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 96.66 për qind të gjithë transaksioneve në këtë treg, në raport me personat juridikë”, - thekson raporti i AMF-së. Ky lloj investimi është bërë gjithnjë e më atraktiv për shkak se investimi në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë është gjithnjë e më i sigurt.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›