Ligjet organike të munguara
Megjithëse zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës ka përfunduar tashmë që prej një jave, ende nuk rreshtin komentet dhe opinionet për mënyrën e propozimit dhe të miratimit të kandidaturës së Nishanit, si edhe për mundësinë apo jo të integritetit të tij në ushtrimin e kompetencave të kreut të Shtetit. Sikurse, ende nuk kanë sosur diskutimet rreth mundësive shëndetësore të tij për kryerjen e kësaj detyre të lartë me përgjegjësi të shumëfishtë. Ndonëse është vet kandidati i zgjedhur, Bujar Nishani ai që gjatë tërë këtyre ditëve e siguron opinionin publik, se kufizimi i vetëm i fizikut të tij është paaftësia për të vrapuar dhe, kështu, brenda pak kohësh do të shërohej plotësisht. Megjithatë, nuk mund të mos konsiderohen të drejta shqetësimet e shprehura për staturën e atij që së shpejti do të ulet në poltronin më të lartë të Shtetit tonë, si edhe një gamë e gjerë opinionesh që, duke lënë mënjanë ato me thurje lëvdatash për personin e zgjedhur dhe me justifikime për rrugën procedurale të ndjekur nga mazhoranca në këtë zgjedhje, karakterizohen prej një fryme kritike ndaj zhvillimit të krejt procesit me anomali të theksuara dhe me mungesë të vullnetit politik në arritjen e një marrëveshjeje të domosdoshme.
Nuk mund të mos konsiderohen të tilla, të drejta pra, përderisa bazohen përgjithësisht te përmbajtja e demokracisë funksionale dhe te fryma e Kushtetutës, që jo vetëm parashikojnë edhe shkarkimin e Presidentit të Republikës për arsye të posaçme dhe për pamundësinë e tij në ushtrimin e tagrave të dhëna gjatë një periudhe mëse dymujore, por sidomos edhe se e përcaktojnë këtë figurë si Kryetar të Shtetit dhe përfaqësues të unitetit të popullit. Këto atribute kryesore kushtetuese duhet të diktonin sigurisht edhe konsensusin mazhorancë – opozitë në zgjedhjen e Presidentit të ri, gjë që nga koalicioni qeverisës nuk u muar në konsideratë dhe tani përfaqësues të tij vazhdojnë ta quajnë krejtësisht legale formën e artikulimit dhe të votimit të emrit të Bujar Nishanit, një ministër ende i pa liruar nga funksioni me dekret të Presidentit në detyrë. Domethënë, ta quajnë legale zgjedhjen me shumicë jo të cilësuar, veçse absolute të votave në Kuvend, çka përkon me mënyrën e përfitimit të një partie ose koalicioni që mban pushtetin ekzekutiv. Dhe prandaj, kjo shumicë ishte e interesuar që me të njëjtën mënyrë votimi të shpallej kandidati i vet në postin e Presidentit të Republikës. Por, legaliteti nuk është i njëjtë me legjitimitetin dhe ka shumë argumente për ta shpjeguar këtë dallim, që nuk është objekt i këtyre radhëve.
Sidoqoftë, përtej konsideratave ‘pro’ dhe ‘kundër’ mbajtjes mbi këtë bazament të dobët të detyrës më të lartë të hierarkisë shtetërore, një detyrë jo vetëm dhe thjesht honorifike, rëndësi më të madhe ka thelbi dhe jo përkufizimi proceduralo - formal. Aq më tepër, kur ky përkufizim mund të mos i përgjigjet plotësisht përmbajtjes së postit në fjalë. Ashtu sikurse, më tepër se sa përkufizimi formal i Shtetit tonë si ‘republikë parlamentare’, që në përgjithësi nuk jepet në kushtetuta të ndryshme, rëndësi madhore ka përcaktimi i ndarjes së pushteteve, i raportit ndërmjet tyre dhe i kompetencave që ka secili në veçanti. Pikërisht, nga kqyrja e këtij raporti bëhet i qartë edhe karakteri parlamentar i Republikës së Shqipërisë, ngaqë Qeveria dhe Parlamenti parashikohen të lidhur në marrëdhënie besimi, ndërsa Presidenti i Republikës si një organ kushtetues i veçuar prej Qeverisë.
Në këtë vështrim, roli i një organi të tillë epror konceptohet si faktor ekuilibri në jetën e vendit dhe si një nga ndikuesit për respektimin e Kushtetutës. Mandati i Presidentit të Republikës është pesëvjeçar, ndryshe nga një legjislaturë e Kuvendit, që shtrihet në një periudhë kohore vetëm katërvjeçare. Dhe, me këtë ndryshim, pa dyshim që synohet të evidentohet shkëputja dhe integriteti i Presidentit të Republikës nga shumica e deputetëve që e kanë zgjedhur, çka do të thotë që edhe me fillimin e një legjislature të re, kur ende vazhdon mandati i tij dhe Kuvendi paraqitet me një shumicë të ndryshme nga ajo që zgjodhi Presidentin, këtij të fundit i duhet të bashkëpunojë me mazhorancën e re, vijimësi funksionale kjo që është në logjikën e sistemit parlamentar. Ndërkohë, edhe pse Kryetari i Shtetit në përgjithësi nuk gëzon kushtetutshmërisht kompetenca ekzekutive, ai mbetet pikë referimi dhe arbitër në rast krizash politike, çka përcakton edhe neni 96 i Kushtetutës.
Disa herë është shprehur në literaturën juridike mendimi, se edhe Presidenti i Republikës duhet të arsyetohet si organ kushtetues i pavarur, por që në rolin edhe të moderatorit të institucioneve të tjera kushtetuese “peshon” në balancimin e pushteteve, duke ndikuar sidomos në ruajtjen e pavarësisë dhe në zhvillimin normal të veprimtarisë së organeve gjyqësore dhe të prokurorisë. Sigurisht, ndryshe nga profili i këtyre organeve dhe nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës është një organ politik. Por, sipas frymës së Kushtetutës sonë, roli i tij në disa aspekte ndryshon prej atij të homologëve të vet në shtete të tjera, ku ndonëse quhen normale dhe në pajtim me sistemin demokratik edhe kritikat ndaj veprimtarisë së Kreut të Shtetit, kurrsesi nuk ndodh që të ushtrohen në drejtim të tij presione nga partitë politike dhe të mos respektohet ai që kryen funksionet më të larta. Pra, ndryshe nga ç’ka ngjarë në Shqipëri, kur Kryetarja e Kuvendit arriti deri atje sa disa vjet më parë t’i kërkonte edhe publikisht “falje popullit shqiptar” që Partia e saj ende pa ardhur në pushtet kishte propozuar si President të Republikës zotin Alfred Moisiu.
Për gjithçka u tha më lart dhe për të tjera çështje që lidhen me funksionin e Presidentit, sigurisht që nuk mjafton vetëm referimi te Kushtetuta, e cila edhe në këtë drejtim ka nevojë për amendamente eventuale, veçanërisht në procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit. Boshllëkun nuk e mbushin, gjithashtu, as aplikimet nga e drejta zakonore ndërkombëtare, kryesisht për respektimin e kortezisë internacionale. Pa dyshim që është i nevojshëm edhe hartimi e miratimi i një ligji për këtë institucion të lartë dhe të rëndësishëm. Dhe, ajo që nuk u faktua kësaj radhe për zgjedhjen e Presidentit me konsensus të gjerë, e domosdoshme është të aplikohet në hartimin dhe miratimin e një ligji organik. Në miratimin e një ligji të tillë pikërisht me shumicë të cilësuar të votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, siç ndodh në disa shtete të tjera europiane, kushtetutat e të cilave parashikojnë zgjedhjen e Presidentit jo nga populli, por nga Parlamenti, dhe madje edhe me kompetenca më të kufizuara se sa përcaktohet te ne. Në këtë mënyrë mund t’i jepet e mund t’i bëhet një prej institucioneve themelore kushtetuese dhe më të rëndësishme të vendit gjatë veprimtarisë së tij një mbrojtje efektive më e madhe, sidomos nga diktatet e Ekzekutivit dhe partive politike që përfaqësohen në Kuvend.
Njëherazi, sikurse kërkohet për të gjitha institucionet kushtetuese, gjithashtu, është e nevojshme edhe një ligj organik për vet Kuvendin e Shqipërisë. Pra, një ligj që do të bënte të mundur shtjellimin e parimeve kushtetuese për organizimin dhe funksionimin e organit më të lartë legjislativ të vendit. Nëse një ligj i tillë deri tani ka munguar, prania e këtij fakti është justifikuar dhe vazhdon të justifikohet meqë Kuvendi ka një Rregullore. Dhe, madje, meqë parlamentet në shumicën e vendeve europiane funksionojnë me një akt të tillë, përkundër shembullit të Dumës federative të Rusisë që vepron mbi bazë të një ligji organik. Sidoqoftë, përderisa në vendin tonë demokracia ende është mjaft e brishtë, nuk mjafton një Rregullore e miratuar me shumicën absolute (pra, me 50 + 1) të votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse opinionet kundërshtuese të mbështetura në praktikën e deritanishme do të prevalonin mbi një kërkesë më të përparuar, aspak e tepërt nuk do të qe që Rregullorja të miratohej me 3/5 – t e votave të tërë anëtarëve të Kuvendit, duke krijuar mundësinë që, siç e ka vënë në dukje doktrina kushtetuese, opozita nëpërmjet një akti të tillë normativ t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, kur cenohen të drejtat e saj.
Kështu, duke mbushur pa humbur fare kohë vakuumin ligjor në të drejtën institucionale të Shtetit shqiptar, së paku formalisht do të mund t’i bëhej një prezantim më i plotë në 100 vjetorin e krijimit të tij.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)