E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta dhe zgjedhjet e Kasharit

Eduard Zaloshnja 

Fill pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme në Komunën Kashar, Ilir Meta deklaroi me kënaqësi se LSI-ja është ...tashmë partia e dytë politike në vend dhe se në vitin 2009, ajo do dalë e para. Ku e bazoi këtë deklaratë të fortë udhëheqësi i LSI-së? Në faktin se kandidati i tij zuri vendin e dytë në garën për Komunën e Kasharit, duke lënë pas kandidatin e PS-së, dhe për më tepër, duke marrë 2.8 herë më shumë vota se ç’kishte marrë LSI-ja një vit më parë. Fill pas deklaratës së Metës, u përgjigj flakë për flakë Valentina Leskaj, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. “Gara ishte thjesht mes katër personave, jo mes partive”, tha znj. Leskaj. Ku qëndron e vërteta? Si zakonisht kur thuhen dy gjëra të kundërta në politikën shqiptare, e vërteta qëndron diku në mes.  Së pari, le të analizojmë deklaratën e z. Meta. Në zgjedhjet e vitit 2007, LSI-ja mori gjithsej 121,172 vota, ose 10.3% të totalit të votave të vlefshme. Në qoftë se arithmetika e Metës do projektohej në rang kombëtar, do i binte që LSI-ja të merrte në rang vendi 28% të votave. Por asnjë nga sondazhet e zhvilluara deri më sot nuk i ka dhënë LSI-së më shumë se 10%. Është e vërtetë që sondazhet nuk mund të përcaktojnë me saktësi opinionin e 1.3 milionë zgjedhësve, por ato nuk mund të gabojnë me 18%! E shumta, ato mund të lëvizin me plus/minus 5%.
Ka shumë faktorë që mund të kenë qenë në lojë në zgjedhjet e Kasharit, të cilët mund të mos kenë të bëjnë me preferencat e votuesve ndaj partive politike. Në një komunë, votat për njërin apo tjetrin kandidat mund të ndikohen nga faktorë lokalë të tipit “kandidati është nga lagjja e Hysenëve apo e Hasanëve”, “jemi në hasmëri, apo jemi në krushqi me kandidatin” etj. Ose mund të ndikojnë edhe faktorë të tipit “ky është biznesmen i suksesshëm, apo ai tjetri ka lidhje të fuqishme politike”, “ky do na bëjë diçka për komunën, e ai tjetri jo” etj.  Me pak fjalë, mund të thuhet se rezultatet e njësive të tilla nuk do ishin të njëjta në qoftë se zgjedhjet do ishin parlamentare.
E tani le t’i kthehemi deklaratës së znj. Leskaj. Në Komunën e Kasharit ishin katër kandidatë në garë - dy të djathtë e dy të majtë. Dhe kandidati i PS-së doli i fundit ndër ta. Kjo padyshim që duhet të jetë një sirenë alarmi për partinë që pretendon se është partia e parë në vend. Sepse pavarësisht faktorëve lokalë të përmendur më sipër, rënia me 80 % në komunën më të afërt të kryeqytetit, duhet të shqetësojë çdo parti që aspiron të fitojë zgjedhjet kombëtare.
Flitet se Edi Rama ka pajtuar një kompani, që zhvillon rregullisht sondazhe për të parashikuar se si do votonin shqiptarët në zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Në fakt, ai do bënte mirë që, në rastet kur janë zhvilluar zgjedhje të pjesshme, të zhvillonte sondazhe pas-zgjedhore (që njihen në anglisht me emrin exit-polls). Në këtë mënyrë, ai do mësonte pse PS-ja nuk ka dalë fituese në to. Ndërsa në rastin e Kasharit, ai do mësonte se pse nga 2886 votues të majtë, 60% votuan për kandidatin e LSI-së dhe vetëm 40% për kandidatin e tij...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›