E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana model, por me cen

Lavdosh Ferruni 

Profesor Dr. Besnik Baraj,  veç të tjerash aktivist dhe mik i mjedisorëve në shkrimin e tij të së premtes “Tirana, modeli i shpresës së shqiptarëve” jep një panoramë të qartë të Tiranës së ndryshimeve të mëdha pozitive, tek citon qysh në fillim 2 kolegët britanikë që rikthehen në Shqipëri dhe konstatojnë se, “Të pabesueshme janë ndryshimet, bile ndryshimet këtu vihen re nëse mungon pak muaj, e jo më të rrish pa ardhur për vite”. Mëse e saktë. Jo vetëm se e thonë të huajt apo emigrantët. E shohim të gjithë. Kujtojmë dhe Tiranën e viteve ‘90, kur lulëzonin kioskat dhe shurrëtoret. Dhe i gjithë ky transformim pozitiv dhe që vazhdon, nuk mund të mos lidhet me një emër që është Edi Rama. Por Tirana tani ngjan si një top modele me cen që pak kush e dallon. Ajo është e sëmurë nga mushkëritë, një top modele azmatike mund ta përfytyrosh, dhe që dita-ditës përkeqësohet. Këtë thekson dhe Profesor Baraj, kur citon raportin e fundit për cilësinë e ajrit urban në Tiranë, “..tendenca në rritje të niveleve të benzenit dhe NOx, të cilat jo vetëm i kapërcejnë nivelet maksimale të BE-së, po janë në nivele krejt të palejueshme. Benzeni dhe gazet nitrore janë produkte kimike që vijnë nga nafta, apo benzinat në procesin e djegies së karburanteve. Fakti që këto substanca janë progresivisht në rritje flet qartë se burimi kryesor i ndotjes në ajrin urban në Tiranë janë automjetet, të cilat kanë ardhur në rritje për nga numri. Jo vetëm kaq, por këto substanca janë mjaft të rrezikshme dhe konsiderohen burim sëmundjesh të ndryshme, përfshi dhe ato kancerogjene..”.  Në vijim Baraj del me konkluzionin: “Këto janë të tëra politika kombëtare dhe përgjegjësi ligjore dhe ekzekutive të qeverisë së Sali Berishës”. Dhe e gjithë sinteza e shkrimit del: Tirana është model i shpresës për shqiptarët dhe kjo është meritë e Ramës, Tirana ka probleme, por për to është përgjegjës Sali Berisha dhe që partia në “hall” (d.m.th LSI) bën gabim që devijon shënjestrën nga Berisha tek Rama. Ky qerthull i shkrimit nuk të nxjerr asgjëkund, veçse të krijon përshtypjen se duhet të presim që Tirana të shkojë në reanimacion. Që të jetë Tirana model i shpresës duhet të shërohet dhe imunizohet. Por që të shërohet duhet ditur shkaku i sëmundjes. Është e vërtetë se virusin e ka aktivizuar Berisha dhe Partia Demokratike, por Rama del portator (mbartës) i virusit (po përjashtojmë në këtë analizë për thjeshtësi rolin neuter të Nanos dhe të PS-së).
Burimi kryesor i ndotjes, siç argumenton dhe Baraj janë makinat, të cilat kanë ardhur në rritje. A ka shanse të pakësohen makinat? Përgjigjja është thjesht; jo. Madje, do shtohen akoma. Numri i makinave është në përpjesëtim të drejtë me popullsinë. Popullsia e qytetit të Tiranës aktualisht është mbi 600 mijë banorë, me një dendësi, në nivelet e rekordit të kryeqyteteve të tjera evropiane mbi 23000 banorë për km2. Rritja e saj me 2 herë e gjysmë në 15 vjet është fenomen unikal në Evropë. Po pse ndodhi kjo dyndje në Tiranë? Virusi është i hershëm. Në vitin ‘91 në platformën e PD-së shkruhej: “Do të lehtësohet vendosja e fshatarëve me vendbanime në qytet, do të favorizohet punësimi i fshatarëve në qytet apo qendra pune urbane. Kjo do të bëhet duke vendosur një sistem shpërblimi më të favorshëm etj”. (Artikullshkruesi e citon në ligjëratë të drejtë këtë paragraf në shkrimin e tij në gazetën “Zëri i Popullit” më 9 shkurt 1991 dhe e riciton atë në, 1995, 1996, 1997, 1998, 2004 duke ofruar në të gjitha shkrimet dhe “vaksinën antivirusale”). Të gjithë jemi dëshmitarë të forcës së jashtëzakonshme të virulencës së këtij virusi. Në vitin 1996 Berisha, hodhi parullën t’i kthejmë sytë nga bregdeti, ndërsa ish-kryetari i PD-së, Tritan Shehu, do  deklaronte në Kukës: “Ne do të stimulojmë lëvizjen e popullsisë në zona të begata”. Në 2001, PS-ja premtoi legalizimin, ndërkohë as që tentoi të gjente mekanizmin e frenimit të pushtimit të tokave edhe pas 10 vjetësh. Me ardhjen e z. Rama në krye të bashkisë, bumi i ndërtimeve brenda qytetit dhe preferencat e tij për ndërtime shumëkatëshe shërbyen si një pompë gjigande thithëse e prurjeve të popullsisë nga e gjithë Shqipëria dhe Tirana, vazhdonte të rritej çdo vit me një qytet prej 30 mijë njerëzish. Asnjë strategji për impaktet mjedisore dhe cilësinë e shërbimeve nuk e shoqëroi këtë rritje. Në kohën e zgjedhjeve të fundit lokale në emisionin “Top show”, ku ishte i ftuar z. Rama dhe një panel analistësh e ekspertësh z. Rama u pyet (nga vetë artikullshkruesi) se si e shikonte ai zgjidhjen e problemeve të Tiranës, kryesisht ato mjedisore (sidomos të ndotjes së ajrit etj.), në kuadër të raportit dhe interferencës së Tiranës me pjesën tjetër të vendit jo aq si kandidat për kryebashkiak se sa si drejtues i partisë më të madhe në vend. Përgjigjja e z. Rama shkoi në favor të mbështetjes për të ardhurit në Tiranë, kontingjent ky aktualisht i fuqishëm votash, në vend të asaj që pritej (së paku nga bërësi i pyetjes), pra në favor të të mbeturve nga zonat e të ardhurve, që është e vetmja zgjidhje edhe për Tiranën. Dialogu me Shqipërinë i Ramës, jeta e të cilit nuk i ka dhënë shans më parë për një dialog të tillë, nuk mund të mos ketë induktuar tek ai një filozofi tjetër për drejtimin e vendit, pikërisht atë të zhvillimit kapilar të vendit, atë të mbështetjes me përparësi të të mbeturve se sa të të ardhurve, se ndryshe ardhacakët nuk do ndalojnë së ardhuri dhe Tirana top modele do skualifikohet dhe do kthehet thjesht një invalide.
Nëse Rama e ka kuptuar këtë filozofi (që në fakt ka qenë e hedhur në programet e PS që nga viti 1996, por vetëm kaq), sfida është  aplikimi i terapisë për ta realizuar atë. Kjo arrihet së pari duke izoluar virusin berishian, që Rama dhe PS-ja nuk mund ta bëjnë dot vetëm. Së dyti, nevojitet futja në zgjedhjet e 2009 me një strategji për 2 mandate 4-vjeçare, që të mundësohet kthesa e madhe e vendit. Ja kështu Tirana, por dhe gjithë Shqipëria, mund të bëhet model i shpresës së gjithë shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›