E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti, votohen dekretet e Topit

Kuvendi miraton në bllok të gjithë dekretet e Presidentit Bamir Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë. 

bledar hoti

Votimi i tejzgjatur i seancës së fundit parlamentare ka risjellë një paqe të heshtur mes maxhorancës dhe institucionit të Presidentit, ku duket faktor ndikues kanë qenë dekretet e ministrave të kabinetit "Berisha 4". Një rol për kalimin e dekreteve të Presidentit ka pasur edhe opozita, e cila siç edhe deklaroi do të votonte pro emrave të Presidentit të Republikës. Pas thirrjes së bërë nga ana e katër gjyqtarëve amerikanë për votim të dekreteve të presidentit duket, se maxhoranca ka reflektuar ndaj kandidaturave të paraqitura, duke mos u bërë barrierë e emrave të propozuar. Emri më i rrezikuar ka qenë ai i Andi Çelikut, i cili ka fituar vetëm me nëntë votë pro në favor të tij. Deputetët pro tij ishin 72, ndërsa kundër votuan 62 dhe 2 ishin abstenime. Çeliku ka marrë numrin më të madh të votave kundër. Pas tij, kandidatura që ishte në rrezik Majlinda Andrea ka kaluar provën e saj, duke kaluar me 74 vota pro dhe 59 kundër. Votimi për gjashtë anëtarët për në Gjykatën e Lartë Aleksandër Muskaj, Arjana Fullani, Andi Çeliku, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj dhe Majlinda Andrea është zhvilluar i fshehtë me kuti votimi. Po i tillë u zhvillua edhe votimi për kandidaturën e paraqitur nga ana e maxhorancës për anëtar KLD-je, Neshat Fana, i cili zëvendëson postin e lënë vakant nga ana e Ilir Pandës. Numërimi i votave për 6 kandidatët e KLD-së ka nisur në orët e para të ditës së sotme në ora 01.00. Deputetët kanë votuar në shtatë fletë votimi të ndryshme, të cilat janë hedhur në shtatë kuti votimi të ndryshme.
Opozita ka këmbëngulur që procesi i votimit të realizohet me kuti dhe fletë votimi dhe jo elektronik i fshehtë. Anëtari i KLD-së, Guxim Zenelaj, të cilit iu numëruan të parit votat e kandidatit për në Gjykatën e Lartë rezultoi me 98 vota pro.
Votimi i Fanës
Neshat Fana do të jetë anëtari më i ri KLD-së. Ai u zgjodh me 83 vota pro. Ndërsa 8 vota kanë qenë kundër dhe 2 abstenim. Në këtë proces votimi nuk morën pjesë deputetët socialistë, të cilët kishin shprehur më parë mospjesëmarrjen e tyre. Pro kësaj kandidature duket se ka votuar pjesa më e madhe e maxhorancës, duke përfshirë këtu edhe deputetët e grupit parlamentar të "Qendrës", të cilët e kishin shpallur që paraditen e djeshme votën e tyre pro. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj u shpreh kundër kësaj procedure, duke u shprehur se Kuvendi ka shkelur Kushtetutën, pasi ka rreth 7 muaj, që nuk është plotësuar vendi vakant në KLD. "Për këtë zonja kryetare mbani përgjegjësi direkte me veprime dhe mos veprime, keni shkelur nenin 47 të Kushtetutës, keni shkelur nenin 8 të ligjit për KLD-në, si dhe keni shkelur nenin 111, pikat 2,3 dhe 4", deklaroi Xhafaj. Ai theksoi se ka tetë muaj që KLD-ja është pa anëtarët e saj, si dhe është cenuar e drejta e deputetëve për të përmbushur procesin ligjor. "Procesi është jo transparent, por i falsifikuar duke injoruar komunitetin e juristëve. Kërkojmë nxjerrjen nga rendi i ditës së kësaj dite, kjo nuk është çështje emrash, por çështje parimore, pra duhet konsensus parlamentar në tërësi", theksoi Xhafaj. Ndërsa Topalli deklaroi se "problemi është se ngjasoni dhe flisni si një prokuror i Kadri Hazbiut. Keni qenë jurist dhe e dini se kryetari i Kuvendit s'ka asnjë lidhje. Fryma e irrituesve e prokurorëve të Kadriut nuk shkon". Ndërsa socialisti i është kundërpërgjigjur se "kështu si flet ti ngjan me personazhin e filmit të Lajes së Kullës së barit". Ndërsa nga raporti i komisionit parlamentar të Ligjeve bëhet e ditur se "Fana plotëson kriteret, dhe se është jurist me 21 vjet përvojë punë në profesion".

rezultati

Majlinda Andrea
136 deputetë
135 fletë votimi
Vota pro 74 deputetë
Votuan kundër 59
Votat abstenuese 2

Guxim Zenelaj
136 deputetë
Votat pro 98 deputetë
Votat kundër 35 deputetë
Abstenim 2 deputetë

Evelina Qirjako
136  deputetë
Votat pro 102
Votat Kundër 31
Abstenim 3

Aleksandër Muskaj
136 deputetë
Votat pro 112
Votat kundër 23
Abstenim 1 deputet

Arjana Fullani
136 deputetë
Votat pro 105
Votat kundër 30

Andi Çeliku
136 deputetë votuan
Votat pro 72
Votat kundër 62
Votat abstenuese 2

Fanaj, anëtar i KLD, Xhafaj: Po minoni reformën në drejtësi

Opozita kontestoi në bllok procedurën e paraqitur e ndjekur nga maxhoranca për emërimin e anëtarit të KLD-së, duke deklaruar se ky veprim mund të rrezikojë vazhdimin e reformave në sistemin e drejtësisë. Këtë procedurë të ndjekur e ka kontestuar fuqishëm në komisionin e Ligjeve, nënkryetari socialist Fatmir Xhafaj, i cili ka bërë të ditur në të njëjtën kohë se kur e majta të vijë në pushtet do të cilësojë këtë post në KLD si të jashtëligjshëm. "Në emër të grupit politik që përfaqësoj, deklaroj se nëse do të vazhdojë kështu, edhe kërkoj dhe mirëkuptimin e personit që kandidon, as me propozuesit që kanë marrë përsipër, por po i them se kandidatura nëse miratohet është e kundërligjshme dhe në momentin më të parë, që do të na jepet, ne do ta rrëzojmë me vendim parlamenti, i ardhur si pasojë e një procesi të kundërligjshëm", deklaroi Xhafaj. Ai deklaroj më pas se "nëse vazhdohet kështu ne nuk do të jemi dhe nuk mund të jemi pjesë e reformës në drejtësi". Opozita kishte paraqitur që në nëntor emrin e Maksim Haxhisë për postin e KLD-së. Fillimisht kishin 28 emra, por u bllokua nga fakti se deputeti i "Qendrës" Pashko Ujka e kishte tërhequr firmën. Por socialistët Dervishi dhe Xhafaj deklaruan se kanë depozituar edhe një kandidaturën e Haxhiajt me 52 firma deputetësh. "Përse nuk keni kurajën të mbani përgjegjësi e të konkurroni kandidaturën që sillni dhe mbani përgjegjësi për procedurën e ndjekur. Mos falsifikoni firma deputetësh", deklaroi Dervishi. Por PD-ja nuk e mori në konsideratë këtë propozim, ku Beja deklaroi se vendi vakant në KLD mund të hapet me votimin e Zenelajt si anëtar Gjykate të Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›