PD fiton Kasharin, LSI renditet e dyta
ADI SHKEMBI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zyrtarizon rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të zhvilluara të dielën për kryetarin e Komunës së Kasharit. Kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata tha dje në një konferencë për shtyp se PD-ja rezulton fituese në këto zgjedhje, ndërkohë që në vend të dytë renditet kandidati i LSI-së. Sipas Gjatës në këto zgjedhje ra në sy një pjesëmarrje rreth 53%. Nga të dhënat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se kandidati i mbështetur nga Partia Demokratike, Besnik Fuçia ka marrë gjatë zgjedhjeve të ditës së diel 2,765 vota, ose me 40.69 për qind. Në vend të dytë është renditur kandidati i mbështetur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, PDS e PAD, Alfred Bakalli me 1,619 vota, ose 23.82 për qind. Rustem Murati kandidat i pavarur është renditur në vendin e tretë me 1,267 vota, ose 18.64 për qind dhe në vend të katërt është renditur kandidati i PS-së Sinan Egra me 1,145 vota, ose 16.85 për qind. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata u shpreh se procesi i votimit u zhvillua i qetë, duke vlerësuar edhe punën e bërë nga vetë kandidatët gjatë fushatës elektorale. Në këto zgjedhje morën pjesë banorët e fshatrave Katund i ri, Kashar Qendër, Kashar Kodër, Fshati Mazrek etj. Në zgjedhjet e 18 shkurtit në Kashar, kandidati i mbështetur nga opozita, Alfred Sulaj mori 52.35% (3796 vota) përballë kandidatit të PD-së, Faik Fejza, i cili mori 47.65% (3455 vota).
Berisha: Murati, leksion Ramës
"Me sinqeritet nuk mund ta mbyll falënderimin pa falënderuar zotin Rustem Murati se, do regjistrohet në analet elektorale të këtij vendi për leksionin e merituar, që i dha kryetarit me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës dhe atyre që përdor ai për të mashtruar e trilluar çdo ditë".
Meta: Sot forcë e dytë, nesër të parët
"Natyrisht kjo ka qenë një sfidë e vështirë, sepse ata janë ballafaquar me të gjithë shtetin. I gjithë shteti dhe e gjithë Qeveria dje ka qenë në Kashar. Kështu që ky rezultat me një rritje shumë të dukshme brenda një viti është një tregues tepër pozitiv për të ardhmen. Me pak fjalë sot forcë e dytë, nesër forcë e parë".
Leskaj: Ishte garë mes individësh
Renditja në vendin e katërt në zgjedhjet e pjesshme që u zhvilluan në Kashar, nuk është pritur mirë nga socialistët. Megjithatë sipas kryetares së grupit parlamentar të PS-së "Ishte një garë simbolike, një garë mes individëve, që nuk ka të bëjë me të ardhmen e zgjedhjeve të ardhshme. Ne shikojmë nga 2009".
Rezultatet sipas kqz
1. Besnik Fuçia (PD) 2765 vota (40.69%)
2. Alfred Bakalli (LSI) 1619 vota (23.82%)
3. Rustem Murati (I pavarur) 1267 vota (18.64%)
4. Sinan Egra (PS) 1145 vota (16.85%)