E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta, e fituara e madhe e lustracionit



Sot hyn në fuqi ligji për pastrimin e figurave zyrtare, i njohur ndryshe si ligji kundër krimeve të komunizmit në Shqipëri. Ky moment përbën pa dyshim një hap vendimtar në përpjekjet 19-vjeçare të shoqërisë shqiptare për t’u ndarë përfundimisht nga e kaluara kriminale komuniste. Mirëpo si në të gjitha momentet vendimtare të historisë, reaksioni ndaj këtij zhvillimi të shumëpritur politik, shoqëror e historik nuk ka munguar. Për nga rëndësia ligji i lustracionit mund të krahasohet me çdo moment tjetër të rëndësishëm historik, pasi efektet që pritet të përfitohen prej tij kanë rol jetik në ardhmërinë e zhvillimeve të demokracisë, shtetit ligjor dhe sidomos integrimit euroatlantik të vendit. Ky vendim i vonuar i shumicës së politikës pritet t’i hapë rrugë e të përshpejtojë shumë reforma e zhvillime të domosdoshme për të arritur me dinjitet mes vendeve demokratike të Evropës dhe botës. Si fillim, duhet të kujtojmë se mungesa e deritanishme e këtij ligji ka bërë që tranzicioni shqiptar të jetë shumë më i gjatë dhe më i mundimshëm sesa ishte menduar 19 vite me parë. Të njëjtin fat kanë pasur edhe përpjekjet shpeshherë të dështuara për të reformuar institucione me rëndësi jetike për funksionimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe sigurisë kombëtare.

Nuk mund të pretendohen institucione të lira, të pavarura dhe ligjore pa bërë më parë pastrimin e tyre nga autorët e krimeve të komunizmit. Nga përvoja e deritanishme mund të vihet re qartë se shumë përpjekje politike e ligjore për të reformuar institucionet e shtetit shqiptar kanë dështuar për faktin se zbatimi i tyre u është besuar njerëzve pa integritetin e duhur politik e moral për ta kryer një mision të tillë, duke filluar nga Parlamenti e deri tek zyrtari më i fundit i shtetit. Dominimi i administratës shtetërore nga të implikuarit në krime të diktaturës komuniste ka rezultuar fatal në vonesën e instalimit të plotë të shtetit ligjor dhe integrimit euroatlantik të vendit. E kam theksuar edhe herë tjetër se dekrimanilizimi i institucioneve shtetërore është parakusht i reformimit aq të kërkuar të tyre nga partnerët euroatlantikë. Anashkalimi i këtij parakushti ka qenë arsye parësore e problemeve që partnerët tanë perëndimorë vërejnë në funksionimin e institucioneve, tona reformimi i të cilave përbën një parakusht më vete për integrimin euroatlantik të vendit.

Natyrisht që ligji prek jo pak interesa më shumë se të një grupi apo një shtresimi pushteti më shumë se politik i të cilit kërcënohet seriozisht pas rreth 60 vjetësh dominimi të pushtetit në Shqipëri. Janë pikërisht lidhjet kriminale që kanë mundësuar “de fakto” vazhdimësinë e pushtetit te tentakulave politike e gjenetike të diktaturës edhe pas përmbysjes “de jure” të saj. Zyrtarët e përfshirë në krimet e komunizmit janë garancia e pushtetit të vjetër që fare hapur ka shfaqur imponimin e tij në zhvillimet politike ekonomike e sociale të vendit në këto afro dy dekada përpjekje për liri e demokraci të shqiptarëve. Diktaturat veprojnë sipas rregullave të bandave kriminale, ku përfshirja në krim përbën garancinë e anëtarësimit në to. Në këtë këndvështrim çdo politikan apo zyrtar i përfshirë në krimet e diktaturës përbën automatikisht edhe person “te marrë peng”, vendimet e të cilëve janë tërësisht në vartësi të së kaluarës kriminale apo edhe më keq, të ish-shefave të tyre në kohën e diktaturës. Një i njohuri im, që ka pasur mundësinë të njohë dosje të ish-Sigurimit të Shtetit, më tregoi një rast kur një zyrtar i lartë ishte detyruar të emëronte shef të kabinetit të tij ish-operativin e Sigurimit që e kishte rekrutuar. Mendoni se sa “i pavarur e i lirë” ishte ky zyrtar në vendimet e tij që ndikonin seriozisht në jetën e miliona njerëzve. E solla këtë shembull për të kuptuar rëndësinë që ka zbatimi i këtij ligji në shkëputjen ose, më mirë të themi, çlirimin e politikës dhe administratës shtetërore nga pengmarrja e së kaluarës komuniste.

Besoj se janë të pritshme, por edhe të justifikuara reagimet e opozitës ish-komuniste ndaj këtij ligji. Askush nuk mund të pretendoje se e majta ish-komuniste shqiptare ka mundur të reformohet në atë shkallë sa të shkëputet sa hap e mbyll sytë nga lidhja politike e gjenetike me krimin komunist. Në fakt, asnjëra nga partitë ish-komuniste të Evropës Lindore nuk arriti të reformohej dot. Krimi nuk mund të reformohet. Mirëpo vendet simotra të Shqipërisë: Çekia, Polonia, Hungaria etj. kanë sot një të majtë evropiane falë ligjeve binjake me këtë tonin, që largoi dhe vazhdon të mbajë larg politikës krimin komunist. Në këtë këndvështrim, e majta shqiptare pritet të jetë e fituara e madhe nga ligji i lustracionit. Jam i bindur se brenda saj ka individë apo edhe grupime të painkriminuara, por ato mbyten nga trashëgimia kriminale që vazhdon të dominoje të majtën tonë. E majta është pa dyshim një aset kombëtar dhe funksionimi apo edhe ekzistenca e saj është shumë më tepër se interesat e lidershipeve të PS-së, LSI-së etj. Në këto kushte, dekriminalizimi i saj është një detyrë përtej kornizave apo interesave partiake. Duke parë edhe zhvillimet në vendet me histori politike të ngjashme, e vetmja rrugë drejt reformimit dhe evropianizimit të saj është shkëputja me ligj nga tentakulat e së kaluarës kriminale. Tani pjesa e painkriminuar e së majtës nuk duket se e ka forcën të reagojë pozitivisht ndaj ligjit të lustracionit, mirëpo jam i sigurt se pas zbatimit të tij ata që do të mbeten apo që do të vijnë në këtë krah të politikës shqiptare, do të ndihen të çliruar apo të shpenguar nga përgjegjësia morale e politike që janë të detyruar ta mbajnë për shkak të mungesës së vullnetit të lidershipeve për t’u shkëputur nga e kaluara kriminale dhe komuniste. A nuk është e majta e fituara e madhe e ligjit të lustracionit?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›