E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, 342 apartamente për të pastrehët



Së shpejti në Durrës do të marrin apartamentet e tyre edhe 342 familje të cilat kanë marrë nga bashkia statusin e të pastrehut. Për këtë qëllim, dy ditë më parë ka përfunduar tenderi dhe janë përcaktuar firmat e ndërtimit të cilat do të ngrenë dy pallatet e para për të pastrehët të cilët janë pjesë e “Projektit të strehimit social” i hartuar nga Bashkia e Durrësit.

Plot 342 apartamente do të ndërtohen brenda harkut kohor të dy viteve për të cilat janë siguruar fondet e nevojshme si dhe janë përfunduar edhe një sërë procedurash ligjore. Ka qenë CEB-i (Banka e Këshillit të Evropës) në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit ata që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti.

Kjo bankë ka mundësuar një kredi prej 3,5 milionë eurosh e cila mbulon 60 për qind të projektit., ndërsa bashkia me 1,5 milionë euro do të mbulojë 40 për qind të tij. Kredia e CEB-it është me terma shumë të butë dhe do të nisë të likuidohet pas 11 vjetësh.

Miratimi i projekteve

Brenda pak ditësh do të nisë puna për ndërtimin e dy pallateve nga 8 kate secili në qytetin e Durrësit të cilët do të shërbejnë për strehimin e personave në nevojë. Ato janë pjesë e “Projektit të strehimit social” të hartuar nga bashkia e qytetit. Ky projekt parashikon ndërtimin e 10 pallateve brenda një afati kohor 2-vjeçar. Këto pallate do të përbëhen nga 342 apartamente 1+1 dhe 2+1. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, tha për “standard” se “vlera në total e projektit është 5 milionë euro prej të cilave 3,5 milionë euro janë siguruar nga një kredi e CEB-it me ndërmjetësinë e qeverisë “Berisha” dhe 1,5 milionë të tjera janë siguruar nga fondi i bashkisë”. Kredia ndaj CEB-it do të nisë të shlyhet pas 11 vjetësh.

Në këtë projekt bën pjesë edhe qeveria, ndaj bashkia ka përzgjedhur PI-un si njësi menaxhimi i cili do të koordinojë punët midis Bankës dhe qeverisë. PI-u është njësi zbatimi projektesh për kreditë që jep BB-ja, CEB-i apo BEI. E përkthyer në terma bankarë rezulton se 60 për qind e projektit për ndërtimin e pallateve mbulohet nga kredia e bankës dhe 40 për qind nga fondi i bashkisë.

Ajo ka përcaktuar edhe trojet e ndërtimit dhe janë dy të tilla. Njëri pranë ndërmarrjes së Ujësjellësit me sipërfaqe 11 mijë m2 dhe tjetri në Shkozet me sipërfaqe 10 mijë m2. Në të parin do të ndërtohen 4 pallate, ndërsa në të dytin 6 të tillë. Pas 1 muaji do të zhvillohet tenderi për ndërtimin e 2 pallateve të tjera pranë Ujësjellësit dhe pak më vonë do të nisin procedurat për pallatet e tjera.

Kush përfiton

Apartamentet do të jepen me qera të paktën për 10 vjetët e para. Qeraja mujore do të arrijë deri në 52 euro për apartamentet 2+1. Përfitues të apartamenteve do të jenë persona në nevojë të cilët plotësojnë kriteret e vendosura nga Këshilli Bashkiak. Kriteri bazë janë të ardhurat mujore të tyre në mënyrë që të mundësohet shlyerja e kredisë ndaj bankës.

Sipas Dakos: “Banorët e banesave me pronarë do të trajtohen me precedencë në përfundim të ndërtimit të pallateve”. Aktualisht, në Durrës rezultojnë me statusin e të pastrehut 2500 familje, ndërkohë që numri i tyre rritet ndjeshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›