Midis holokaustit nazist dhe atij komunist
Me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, qysh në vitin 2004, data 27 janar është caktuar si dita e gjenocidit nazist kundër hebrenjve. Lidhur me këtë, Parlamenti shqiptar hartoi një rezolutë ku solidarizohej me të dhe, në një pikë të saj, e shpallte edhe si ditën e gjenocidit komunist në vendin tonë.
Këto ditë shohim, në faqet e shtypit të shkruar, të shkruhet për “gjenocidin e tmerrshëm” të ushtruar në vendin tonë kundër hebrenjve. Të them të drejtën, më vjen pështirë kur lexoj shkrime të tilla. Jam nga Vlora dhe në qytetin tim ka jetuar një brez i konsiderueshëm i kësaj kombësie. Janë të njohur emrat e Levajve, Sollomonëve, Matathiajve, Kohenëve dhe të tjerë. Gjatë kohës së pushtimit të Shqipërisë, shumica e tyre ushtronin profesionin e tregtarit, bile ndoshta ishin më të njohurit e qytetit. Për asnjërin prej tyre nuk kam dëgjuar të flitet për holokaust. Ata vazhdonin rregullisht tregtinë e tyre, pa u trazuar prej askujt, pa u prekur prej askujt, ashtu siç ishte vepruar në vendet e tjera.
Përse ndodhte një gjë e tillë? Përse nuk u përndoqën? Sepse qeveria shqiptare e kryesuar nga Mehdi Frashëri kishte nënshkruar me autoritetet gjermane një marrëveshje për të mos prekur qytetarët shqiptarë. Edhe hebrenjtë që banonin në Shqipëri, ishin qytetarë shqiptarë. Kjo i shpëtoi ata nga holokausti.
Në të vërtetë, hebrenjtë holokaustin e provuan pas ardhjes në pushtet të regjimit diktatorial komunist. U rrëmbyen pasurinë dhe i degdisën qelive të errëta të sigurimit. Do të sjell vetëm dy shembuj. Më i njohuri prej tyre, tregtari i madh Pepe Levi, vuajti dhjetë vjet burg për motive politike. Po ashtu edhe bashkëvuajtësi im, Pepo Koheni, që u dënua në një ditë së bashku me mua. Kjo tregon se atë që nuk bëri regjimi nazist e plotësoi ai komunist.
Për një gjë çuditem, si ka mundësi të mos përkujtohet dita e gjenocidit komunist, kur këtë ditë e ka miratuar Parlamenti shqiptar? Çfarë është, harresë apo mosdashje? Sido që të jetë, ajo është një çështje që nuk nderon asnjë në vendin tonë. Bile do të thosha më tepër partitë politike, sidomos ato të djathta.
Për t’ju ngacmuar kujtesën po ju kujtoj disa të dhëna mbi holokaustin komunist në Shqipëri, të nxjerra nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë:
Të ekzekutuar me dhe pa gjyq 5.023 persona
Të vdekur në burgje 1.065
Të burgosur politikë 17.300
Të sëmurë mendorë 260
Të internuar deri në vitin 1954 22.000
Të vdekur në internim 9.000
Le t’u hedhim tani një vështrim viktimave të shkaktuara nga regjimet komuniste në botë. Për këtë le t’i referohemi librit “Jashtë kontrollit” të personalitetit amerikan Zbigniev Bërzhezhinski që shekullin e njëzetë e quan “Shekulli i megavdekjes:
Viktima të Luftës së Parë Botërore 13 milionë
Të Luftës së Dytë Botërore 35 milionë
Viktima të holokaustit komunist 66 milionë
Nga këto:
Gjatë periudhës së sundimit të Leninit 8 milionë
Stalinit 25
Mao Ce Dunit 29
Pol Potit 1
Diktatorët e Evropës Lindore 3
Është e njohur tashmë moria e krimeve të komunizmit. Le të tregojmë disa shembuj:
1 milion të ekzekutuar në fund të viteve ’20;
1 milion të ekzekutuar dhe 2 milionë të vdekur në kampet e punë së detyruar;
vetëm gjatë viteve 1937 – 1938;
12 milionë të vdekur nëpër kampe gjatë periudhës tjetër;
7 milionë fshatarë të vdekur gjatë procesit të kolektivizimit;
360.000 robër lufte të vdekur nga kushtet e këqija;
140.000 ushtarë polakë të ekzekutuar;
20.000 oficerë polakë të ekzekutuar afër Minskut, zbuluar në fundin e viteve
’80;
14.736 oficerë polakë të ekzekutuar më 5 mars 1940, me urdhër të Berias,
shefit të KGVD-së dhe të miratuara nga vetë Stalini si edhe
10.685 të burgosur të tjerë politikë;
15.000 oficerë të tjerë polakë të ekzekutuar në pyllin e Katinit.
Lexoni këto të dhëna në librin e Bërzhezhinskit dhe bëni krahasimin. Gjatë dy
luftërave botërore, numri i viktimave ishte vetëm 48 milionë, ndërsa gjatë holokaustit komunist ai arriti në 66 milionë, shifër që sipas të dhënave të Këshillit të Evropës, arrin në 100 milionë.
Më lejoni t’ju pyes të nderuar pushtetarë, opozitarë dhe përfaqësues të medias së shkruar dhe asaj vizive. A ia vlen të heshtet para këtyre shifrave rrëqethëse? Është në ndërgjegjen tuaj të reflektoni dhe të përgjigjeni. Unë një gjë doja t’ju kujtoja: Mos harroni, jemi edhe ne këtu!
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës