E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta e ndarë, sërish më e fortë se PD-ja e vënë në rresht

Ditën që Presidenti Topi ktheu Kodin, nga PD-ja nuk foli askush. Vetëm Jozefina Topalli bëri një deklaratë krejt pa lidhje nga Londra, që e akuzonte Topin se mbronte interesat e të vegjëlve, gjë që formalisht nuk qëndronte, por arsyetohej me idenë se Topalli nuk vret mendjen ç’bën Topi, por thjesht sulmon Topin.

As të nesërmen nuk pati deklaratë. Aldo Bumçi, që nuk lë budallallëk pa thënë në këtë botë, nuk e tha as budallallëkun e Jozefinës, as të Berishës. Më pas erdhi qëndrimi i Berishës. Dhe për këtë sajoi një intervistë në televizionin e tij dhe hodhi idenë se Topi e ka kthyer Kodin “për t’i dhënë shans bashkimit të së majtës”.

Përpjekja e Berishës e kohëve të fundit për ta thelluar ndarjen e së majtës, ngjan si lëvizje diabolike ndaj së majtës, por në thelb ka për të shkuar kundër së djathtës. Gjëja që llogarit gabim Berisha është, sa e ndihmon PD-në ndarja e fortë e së majtës? Ndarja e fortë e së majtës, me formulën që ka Kodi Zgjedhor, mund të faktorizojë LSI-në në atë shkallë që të ndajë një numër të konsiderueshëm deputetësh me PS-në dhe të bëhen shumicë e sigurt në zgjedhjet e ardhshme. Sistemi elektoral që Berisha ka zgjedhur, është në kundërshtim me interesat e PD-së dhe të së djathtës dhe, natyrisht, në interes personal të pushtetit të Berishës. Nga ky sistem, PD-ja humbet pushtetin dhe Berisha fiton përjetësisht PD-në, por një PD jo në pushtet. Nuk jam shumë i sigurt sa i nevojitet Berishës një PD e tillë. Por e sigurt është se një e majtë e ndarë është një e majtë më e fortë se një PD e rreshtuar me frikë pas Berishës dhe pa personalitete.

Përpjekja e Berishës për ta forcuar të majtën, duke i forcuar personalitetet dhe duke e ndrydhur të djathtën, duke i bërë të gjithë ushtarë të frikësuar pas tij, është një gjobë e madhe që e djathta po u paguan përpjekjeve të Berishës për të përdorur pushtetin e përjetshëm në PD, për të mbrojtur veten dhe familjen nga megaskandalet si Gërdeci dhe Rrëshen-Kalimashi. E majta, pas këtyre lëvizjeve të Berishës, po gjallëron debatin brenda saj dhe po ngjall më shumë shpresa për personalitete sesa manekinët që ka vënë në rresht Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›