E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta kaviar, një dashuri në kohën e kolerës

Aspekti më shqetësues i ngërçit që po kalon vendi është (mbi të gjitha) kulturor. Një shembull është “zh-dukja” e Partisë Socialiste. Kjo e fundit po shkon drejt asaj që shkrimtari i njohur kolumbian, Gabriel Garsia Marquez – ai i realizmit magjik dhe jo soc-realist – përshkroi në romanin e “Dashuria në kohën e kolerës”, një njeri që sëmuret nga toksina e egos, dhe pas tij të gjithë të tjerët sëmuren me radhë dhe në fund zhduken pa lënë gjurmë. Dhe të gjithë e dimë se kolera e egos ka zhdukur shumë të Majta në botë. Kësisoj simptomat e prekjes bakterio-politike dëftehen sot në të gjitha në fytyrat e socialistëve të dhunuar dhe të poshtëruar nga humbjet e njëpasnjëshme elektorale. Bile një pjesë e intelektuale e saj, fraksioniste brenda PS-së po vuan tej mase nga klaustrofobia dhe nga ekzibicionizmi teatral i konferencave të panumërta për shtyp të fotozhenikut Rama. Kolera e egos që shfaqet në gjithë mendje ngushtësinë e saj në konferencat e panumërta për shtyp në selinë rozë. Shtëpia e socialistëve ngjan si një anije jashtëtokësore jashtë realitetit tokësor, pasi partia më e madhe opozitare është kthyer në një organizatë pretencash akuzuese dhe jo një alternativë serioze qeverisëse. Zakonisht shihet propozimet e opozitës për të kuptuar defektet e pozitës.
Virusi i imazhit dhe i formës është ngadhnjimtare ndaj substancës dhe ideve. Mandej metastaza është shumëfishuar dhe është përhapur në të gjithë opozitën. E vërteta tragjike është se partia socialiste i ngjan një të vdekuri klinikisht, pra në koma që tenton maratonën e zgjedhjeve. Nuk e them unë. Por moria e observatorëve politikë që janë të habitur për përkeqësimin e kësaj shoqate politike që nuk ka artikuluar asnjë ide të majtë, asnjë alternativë serioze e të besueshme për të implementuar, përpos pasthirrmave. E majta as që është shqetësuar për misionin e saj të shpallur për reformimin e sistemit shoqëror-ekonomik në mënyrë që shpërndarja e të ardhurave në popullsi të jetë gjithnjë e më e drejtë dhe më e barabartë. Brenda politikës botërore e majta është identifikuar vazhdimisht tek intelektualët e shtresës së mesme, tek lufta për të drejta, dhe në një mënyrë më pak konsekuente, tek internacionalizmi, tek arti dhe tek grupet e margjinalizuara. Kurse në Shqipëri e Majta përfaqëson çuditërisht Multi-Milionerë, afaristë të ndryshëm që i mohojnë të drejtat në bizneset e tyre dhe përdorin politikën për të forcuar situatën e tyre ekonomike e financiare. Shpesh me influencë apo edhe të lidhur direkt me lobe mediatike, ky grup miks i politikanëve biznesmenë apo i biznesmenëve politikanë kanë filluar gradualisht të jenë vendimtarë në vendimmarrjen opozitare. Mjafton të shikosh sesi klika e betonit e lidhur me liderin Edi Rama fyen mijëra punëtorë në kantierët e ndërtimit. Ky thelb shpjegon përse e majta po humb identitetin dhe përse e majta është e fragmentuar. Votuesit e thjeshtë, të varfër apo me të ardhura mesatare nuk e ndjenë më si përfaqësuese të tyre elitën e së “majtës kaviar”.
Intelektualët shqiptarë që kanë një simpati majtiste janë kundër konceptit të promovuar nga Egoarku për një intelektual organik të partisë. Sikurse disidenca e mendimeve ndryshe po izolohet dhe stigmatizohet qysh në embrion. Pas 10 vitesh në politikën socialiste Edi Rama e ka të vështirë të mbulojë një mashtrim kaq të madh, që ka lënë pa përfaqësuar intelektualët, që ka lënë pa përfaqësuar shtresën në nevojë. Dhe kjo është një nga arsyet kryesore përse e majta vazhdon të rrudhet, konfliktohet për së brendi dhe të përçahet.
Gjithsesi e Majta i humbi zgjedhjet parlamentare, për shkak se vetë ajo nuk arriti të dalë në pah, nuk ka qenë e pranishme në komunitet dhe ishte pa identitet. Dhe këtu natyrshëm lind pyetja: Po ku ishte vallë? A mos ishte duke udhëtuar me atë autobusin e viteve ‘80 ku nuk i flitet shoferit, kur ky i fundit ecte për shtatë palë qejfe drejt humnerës elektorale? E majta shqiptare është infektuar nga kolera e diletantizmit politik, e politikës provinciale që hiqet kozmopolitane vetëm në çorapet holandeze alla favelas-painting. E Majta politike nën drejtimin e artistit në tentativë Edi Kristaq Rama është e konsumuar në sloganologji, si dhe surrealizëm logjik, linguistik e psikedelik. Ky është një trishtim i madh për humbjen e shansit eksperimental. Të humbësh zgjedhjet nuk është fundi i botës. Përkundrazi është momenti më i mirë për të kuptuar gabimet dhe për rrjedhojë korrigjimin e tyre. Kurse fatalitet është moskuptimi, mungesa e përgjegjësisë individuale dhe kolektive, alibia.
Ky fenomen e ka një histori. Herën e parë që pashë Edi Ramën pas rimandatimit si kryetar i socialistëve, në shtator të 2009, shkruaja se ai është i rrezikshëm për demokracinë dhe i paaftë për të ofruar një alternativë qeverisëse. Kurse tani është bërë problem farmacie, i një farmacie veterinare. Litania e sajesës së kutive shkoi deri aty sa ai besoi në gënjeshtrën që kishte prodhuar në uzinë e politikës së re. Kam pasur mendimit se i nevojiteshin ilaçe qetësuese kur gërthiste si i pandreqshëm në foltoret e protestave. Dhe nuk është më rasti për t’i dhënë një pasqyrë ku të shoh deformimet fizike dhe psikologjike që i ka krijuar fushata një vjeçare absurde. Dhe absurdi absurdin nuk i ngjan. Edi Rama nuk ka nevojë më që një njëri ti dëftejë të vërtetën estetike kur ngrihen në mëngjes, i parruar dhe me sy të pagjumë. Ndoshta ka nevojë për një terapi.
Por a duhet të gëzojmë me fatkeqësinë e tjetrit? Besoj se jo. Pluralizmi është një nga fitoret e pakta që kemi arritur pas përmbysjes së regjimit monist. Dhe ai kush fërkon duart për gjendjen skandaloze të opozitës, është një kamikaz shoqëror. Të gjitha demokracitë ka nevojë për një politikë të mirë, e mbi të gjitha parti të përgjegjshme dhe të shëndetshme. Sepse pa opozitë të përgjegjshme rrezikohet mbetja në duart e Fuqive të mëdha. Rikthimin e një rendi skllavopronar, me kontorno moderne, në shekullin e XXI-të.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›