Pushteti vendor dhe debitorët e ATK-së
Ligji Nr 8894, datë 14/05/2002 “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, i ndryshuar në vitin 2007, përcakton një sërë institucionesh bashkëpunuese, midis të cilave edhe organet e pushtetit vendor, që janë të detyruara t’i japin ATK-së informacione të ndryshme për debitorët e saj. është pikërisht neni 10 i këtij ligji që e sanksionon një detyrim të tillë. Në të thuhet: “Agjencia e Trajtimit të Kredive u dërgon zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, drejtorive rajonale të shërbimit të transportit rrugor, zyrave të gjëndjes civile, ALUIZNI-t, organeve të pushtetit vendor, bankave të nivelit të dytë, fondacioneve kredidhënëse dhe institucioneve të tjera informacion për detyrimet, që persona të ndryshëm mund të kenë ndaj shtetit”.
Siç shihet, ligji nëpërmjet shprehjes …dhe institucioneve të tjera…”, krijon një hapësirë të gjerë për subjektet publike që janë të detyruara t’i japin ATK-së informacion për debitorrët e saj, siç mund të jenë, fjala vjen; policia e shtetit, doganat, tatimet, shërbimi diplomatik e kështu me radhë, por organet e pushtetit vendor kanë një rëndësi të dorës së parë, në këtë çështje. Kjo për faktin se organet e pushtetit vendor zotërojnë çdo lloj informacioni për qytetarët që kanë banuar, jetojnë dhe punojnë në zonën administrative ku ato e shtrijnë juridiksionin e tyre, lidhur me adresën e saktë, gjëndjen pasurore, llojin e aktivitetit që kryejnë, etj. Bashkitë dhe komunat janë arkiva më e plotë e jetës qytetare të çdo individi, që nga lindja deri në vdekje. Organizimi dhe funksionimi i organeve të pushtetit vendor është konceptuar i tillë, kudo në botë, që informacioni për jetën dhe veprimtarinë qytetare të lerë gjurmë të shumta në regjistrat e gjëndjes civile, zyrën e taksave, urbanistikës, policisë bashkiake apo të komunës, etj. Në këtë kuptim edhe hileqarët e dallaverexhinjtë më të mëdhenjë të një komuniteti të caktuar, mund t’i shmangen e fshihen kujtdo, por jo organeve të pushtetit vendor.
Trajtimi gati dymbëdhjetëvjeçarë i debitorëve të ATK-së ka arritur në një fazë të tillë, që e ka të pamundur të eci më tej me efektivitetin e duhur, pa mbështetjen e institucioneve të ndryshme bashkëpunuese, ku përfshihen edhe organet e pushtetit vendor. Janë rreth 12 mijë debitorë, nga afro 18 mijë gjithësej të transferuara nga ish bankat shtetrore të nivelit të dytë, të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, që mbeten për t’u trajtuar në vitet e ardhëshme. Qysh nga moment i marrjes së kredisë prej këtyre debitorëve në sih bankat shtetrore të nivelit të dytë kanë kaluar, sipas rastit, nga 13-17 vjetë kohë. Për një periudhë të tillë kohore, në jetën e njeriut ndodhin mjaft ndryshime të rëndësishme, aq më tepër në kushtet e zhvillimeve të vrullshme demokratike që kanë përfshirë vendin tonë pas viteve ‘90. Në këtë kuptim, edhe debitorët e ATK-së janë njerëz si gjithë të tjerët, me të vetmin ndryshim se ndodhen vazhdimisht nën mbikqyrjen dhe trysninë e shtetit për shkak të borxhit që kanë krijuar si rezultat i moskorrektesës së treguar për shlyerjen e kredisë bankare që kanë marrë disa vite më parë.
Për një trajtim më të efektshëm të portofolit të mbetur të debitorëve të ATK-së, kohët e fundit është bërë një riklasifikim i ri i tij, duke e grupuar sipas vendndodhjes së fshatrave dhe qyteteve në përbarje të komunave dhe bashkive në shkallë republike, i renditur nga debitori me detyrimin më të madh tek ai me detyrimin më të vogël. Qëllimi i këtij grupi u diktua nga vështirësitë në gjetjen e adresave aktuale për një pjesë të konsiderueshme të debitorëve, të cilët kishin ndryshuar adresat e mëparshme që kishin lënë në dokumentacionin e dosjes së kredisë bankare. Nga një llogaritje e përafërt, mund të jenë gati 50 për qind e debitorëve të mbetur për trajtim që mund të kenë ndryshuar adresën e treguar dhe të transferuar nga bankat kredidhënëse për shkak të lëvizjes brenda-brenda vendbanimit të mëprashëm, nga një zonë e banuar në tjetrën ose që kaën emigruar jashtë shtetit. Për të gjitha këto raste është e detyrueshme që të kërkohet informacion i sakt për adresën e re, pa të cilën nuk mund të filloj procedura e ekzekutimit të detyrueshëm nga zyrat e Shërbimit Përmbarimor. Dhe ky informacion, përveçe nga zyrat e pushtetit lokal nuk mund të jepet institucionalisht i sakt nga askush tjetër. Vetëm debitorë të miguar nga një zonë e Shqipërisë në tjetrën janë rreth 3 mijë vetë. Po kështu, një informacion i tillë kërkohet për debitorët e vdekur, me qëllim çeljen e dëshmisë së trashgimisë dhe për debitorët emigrant, për caktimin e përfaqësuesit ligjor që do të ndjek procesin e ekzekutimit përmbarimor, etj.
Një ndihmesë të çmuar mund të jepnin organet e pushtetit local, sidomos, për grupin e debitorëve me detyrim principal të transferuar deri në 100 mijë lekë, të cilët ndodhen kryesisht në të gjitha fshtrat e komunave të Shqipërisë. Ky grupim debitorësh përmban gati 40 për qind të numrit të përgjithshëm të tyre ose plotë 4800 persona nga 12 000 gjithësej, ndërkohë që shuma e principalit të transferuar për ta nuk shkon më shumë se 1,3 për qind e totalit të këtij detyrimi. Nuk do t’ia vlente barra qiranë që për këtë kategori debitorësh të procedohej nëpërmjet ekzekutimit të detyrueshëm me shërbimin përmbarimor, për shkak se kostua e arkëtimit do ta tejkalonte disa herë shumën e arkëtuar. Në këtë rast, mund të shfrytëzoheshin hapësirat ligjore për t’ua deleguar komunave arkëtimin e këtij detyrimi, si një ankes të procesit të arkëtimeve dhe pagesave ligjore që ato kanë me banorët e tyre për shërbimet e ndryshme publike që ofrojnë. Mëgjithatë, për ta konkretizuar plotësisht një iniciativë të tillë, duhet patjetër një ndërhyrje e lartë institucionale, për të përcaktuar edhe modalitet e këtij bashkëpunimi.
Agjencia e Trajtimit të Kredive ka barë gati, këto ditë, dhe po u nis të gjithë komunave dhe bashkive në shkallë republike listën e debitorëve që u përkasin zonave të tyre administrative, duke vënë në dijeni edhe Ministrinë e Brendshme për këtë çështje. Përgjigjia dhe ndihma e shpejt që presim në këtë rast nuk lidhet vetëm me dhënien e adresës apo informacionit të sakt të aktivitetit ekonomik e gjendjes pasurore, por edhe me shftytëzimin e autoritetit të tyre ligjor për t’u rreshtuar dukshëm përkrah ATK-së për përmbushjen e këtij misioni të rëndësishëm buxhetor ndaj shtetit, lidhur me arkëtimin e detyrimit të disa debitorëve, që nga “kredimarrës të këqija” janë shndërruar në “njerëz pa adresë” dhe pa më të volgin shqetësim për të mos i mbetur më tej borxh shtetit të tyre. Që kjo punë të ketë efektivitet, kryetarët e komunave dhe bashkive, duhet ta fillojnë atë me njerëzit e tyre, dhe jo të ndodh si në disa raste që ata bëhen mburojë e paligjshme për miqtë dhe të njohurit. Natyrisht ne nuk do t’i tolerojmë më tej raste të tilla, duke i denoncuar jo vetëm në rrugë administrative por edhe penalisht, kur “mbushet kupa”. Të kuptohemi, nëpërmjet këtyre që shkruajmë e themi nuk është se duam të dukemi më të përkushtuar se të tjetër për të respektuar shtetin ligjor, por t’u treguar debitorëve problematik se në kryerjen e misonit që kemi marrë përsipër, nuk bëjmë tolerime dhe nuk jemi vetëm...
Autori është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive