E marta e zezë, Papandreu irriton tregjet
Kryeministri grek, Giorgios Papandreu ka irrituar tregjet me deklaratat e tij për një referendum për paketën e shpëtimit. Bursat janë gdhirë të shqetësuara, DAX-i gjerman e ka nisur me një minus të mirë ditën, ndërsa disa media flasin për një të martë të zezë.
Ministri për Europën në Finlandë thotë se Papandreu po rrezikon edhe anëtarësinë në zonën euro. Në rast se referendumi do dalë me një JO, atëherë kjo do të thotë që Greqia të dalë nga Eurozona, vlerëson Commerzbank.
Mediat thonë se Papandreu po e ndërmerr këtë veprim edhe për shkak të përplasjes së fortë që ka me opozitën. Flitet edhe për zgjedhje të parakohshme, ndërsa vetë kryeministri do testojë mazhorancën në parlament të mërkurën.
Po sot në mëngjes, në spital është shtruar ministri i Financave i Greqisë, Evangelos Venizellos, që ka pasur probleme në stomak.
Një zëdhënëse e BE nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me këtë vendim.