E Diel, 1 Nëntor 2026

Qirjako: Hipotekohen 124 pallate, tani radha e qytetarëve

Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekës, Arben Qirjako shprehet se deri më tani kanë përfunduar dosjet e 124 pallateve nga blloku 400 të tilla që do të regjistrohen nga nisma e Bashkisë së Tiranës. Hipoteka do t’u jepet ndërtuesve, ndërsa qytetarët duhet të nisin procedurat e reja

Hipotekat kanë gati dosjet për 124 pallate, pjesë e grupit të 400 të tillave, si nismë e Bashkisë së Tiranës për regjistrimin e tyre. Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Patundshme, Arben Qirjako bëri të ditur se 124 dosjet e pallateve shumëkatëshe, për të cilat Bashkia e Tiranës dha pak ditë më parë lejet e shfrytëzimit, do të pajisen me hipotekë brenda 30 ditësh, nga momenti i aplikimit nga ana e ndërtuesit. Ai tha se pas këtij momenti është radha e qytetarëve, të cilët nëpërmjet akteve të shit-blerjes do të mund të marrin pronësinë nga ndërtuesi. Qirjako tha se janë marrë masa që pajisja me hipotekë e këtyre objekteve të bëhet brenda një kohe të shkurtër. “Ne presim sot të vijë zyrtarisht depozitimi i 124 dosjeve përkatëse, të cilat kanë marrë leje shfrytëzimi nga Bashkia e Tiranës. Kuptohet që me depozitimin e këtyre dosjeve është një volum shumë i madh pune, por është bërë organizimi i përshtatshëm brenda Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës dhe me aplikimin e këtyre subjekteve, të cilat kanë marrë leje shfrytëzimi, ne shpresojmë që brenda afatit kohor prej tri ditësh, këto dosje të marrin certifikatat e pronësisë. Në këtë moment unë po bëj edhe një thirrje për subjektet që të aplikojnë sa më shpejt për regjistrimin e dosjeve të tyre, të cilat sapo kanë marrë leje shfrytëzimi”, - sqaroi drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave, Arben Qirjako. Pajisja me hipotekë e 124 objekteve në Tiranë do të çlirojë një kapital të konsiderueshëm për ekonominë e vendit, që do t’u shërbejë jo vetëm qytetarëve, por edhe sistemit bankar. “Janë124 firma ndërtimi, të cilat tashmë kanë mundësinë dhe lirinë për të marrë kredi të tjera ose për të shlyer kreditë e tyre nga fakti i hipotekimit të godinave të tyre, që i pengonte deri më sot të ishin më transparente dhe më të besueshme ndaj sistemit bankar. Gjithashtu do të doja të përgëzoja rreth 10 mijë banorë ose mbi tre mijë familje, të cilat kanë dokumentet e pronësisë dhe që për bijtë e tyre tani kanë një kolateral për të marrë kredi të reja për t’u zgjeruar, për të marrë apartamente dhe për të blerë apartamente të reja. Se ajo çka është kryesorja e këtij procesi nuk është më shumë fakti se po futen 1.5 deri në 2 miliardë kapital financiar në sistemin e pasurive të paluajtshme. Por, është fakti se më shumë se 30 mijë familje do të kenë mundësinë të marrin një apartament të dytë për fëmijët e tyre, për vajzat e tyre, për djemtë e tyre të rinj, të cilët ishin të pamundur për të marrë dhe për t'iu afruar sistemit bankar sepse nuk kishin një kolateral”, - u shpreh ndërtuesi Avenir Kika. Ndërtuesit bëjnë të ditur gjithashtu se një tjetër nismë që pritet të zgjidhë problemin e hipotekimit të apartamenteve në Tiranë është edhe projektligji i ri që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë dhe që është diskutuar me grupet e interesit. Drafti parashikon që ndërtuesit të regjistrojnë objektin që në momentin që pajisen me leje ndërtimi.

Vendimi, rriten tarifat për të 26 shërbimet hipotekore

Këto ditë pritet të hyjnë në fuqi tarifat e reja të shërbimeve të hipotekave, të cilat janë miratuar nga qeveria dhe pritet të publikohen në Fletoren Zyrtare. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme aktualisht ofrojnë 26 shërbime, tarifat e të cilave së fundmi janë miratuar që në vitin 1996 dhe deri më sot asnjëra prej tyre nuk ka ndryshuar. Me vendimin e ri të qeverisë, disa prej këtyre tarifave janë dyfishuar. Në tarifat e ndryshuara për shërbimet që ofron hipoteka, rriten më së shumti tarifat e shërbimeve për vërtetimet ndaj atyre që aplikojnë për kredi në banka dhe ndaj biznesit të ndërtimit për regjistrimin provizor të karabinave. Shërbimi për “Kërkesë për regjistrimin e veprimeve juridike mbi pasuritë e paluajtshme nga personat fizikë dhe juridikë me banim jashtë shtetit” propozohet të mos ekzistojë më, për arsye të barazimit të tarifave ndërmjet atyre që jetojnë jashtë dhe personave brenda vendit. Ndërsa tarifat e shërbimeve të veprimeve me bankat e institucionet e tjera kredidhënëse për kredi me vlerë mbi 1 milion lekë propozohet që të rriten me 2.5 herë. Kjo duke marrë në konsideratë faktin se shërbimi që do t’u ofrohet bankave dhe institucioneve të tjera kredidhënëse do të jetë më i shpejtë dhe më efikas. Ndërsa tarifa për regjistrimin provizor të karabinave është rritur me vlerën e 6500 lekëve, duke i klasifikuar tarifat e shërbimeve për bizneset të përshtatshme dhe të përballueshme nga ana e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›