E Diel, 1 Nëntor 2026

E marta e zezë-Vetëvriten tre persona

VLORË - Edhe pse arsyet dhe vendngjarjet ishin të ndryshme, tre persona, mes së cilëve një studente 20-vjeçare që kishte ngelur në provime, një nënë e depresuar 33-vjeçare dhe një 73-vjeçar i dhanë dje fund jetës në mënyrë tragjike. Dy prej tyre u vetëmbytën, kurse 33-vjeçarja nga Lushnja, Violeta Alla, tentoi fillimisht vetëvarjen, por u gjet në grahmat e fundit nga i biri 14-vjeçar, dhe më pas ndërroi jetë në spital. E vendosur të vdesë E para që tentoi vetëvrasjen ishte Violeta Alla, banuese në fshatin Shegas të Lushnjës. Ajo u gjet e vetëvarur në kasollen e bagëtive nga i biri 14-vjeçar, Kledis Alla, i cili i shpëtoi jetën, por jo për shumë kohë. Djali u kthye rastësisht në banesë, rreth orës 20:00 të së hënës, për të marrë një racion bukë, por u tmerrua kur pa të ëmën varur në kasolle. Pas britmës së tij, familjarët që vuajnë një gjendje të keqe ekonomike erdhën me shpejtësi, duke prerë litarin dhe duke e transportuar gruan për në spitalin e qytetit. Alla qëndroi për plot 22 orë në koma, duke ndërruar jetë gjatë pasdites së djeshme. Sipas familjarëve, kjo ishte hera e tretë që Violeta tentoi të vetëvritej. Bashkëshorti i saj, Sulejman Alla, pohoi se gruaja e tij vuante nga depresioni mendor prej gati një viti. Gjashtë muaj më parë ajo u hodh në lumë për t’u mbytur, por fatmirësisht u shpëtua nga bashkëfshatarët. Dy muaj më pas ajo piu fosfor organik, por sërish vdekja nuk e pranoi “në gjirin e saj” 33-vjeçaren nga Shegasi. Megjithatë, vdekja nuk u tregua e mëshirshme me Violeta Allën, nënë e dy fëmijëve, pas varjes së saj në ahurin e stallës. Vetëflijohet për provimet Rreth orës 24:00 të mesnatës së të hënës, një telefonatë në sallën operative të policisë së Vlorës e bërë nga një qytetar, njoftoi se pranë tunelit të qytetit, në zonën bregdetare, ishte dëgjuar ulërima e një vajze që ishte hedhur në det. Po rreth kësaj ore, edhe disa vajza banuese në konviktin e Qytezës Studenti në Vlorë njoftuan policinë se shoqja e tyre nga Skrapari, Klejda Hasanago, studente në vitin e parë për Anglisht në universitetin “Ismail Qemali”, u tha në telefon se sapo të mbyllte celularin, do të hidhej në det për t’u mbytur. Fatkeqësisht, të dyja të dhënat përkonin me 20-vjeçaren Hasanago, e cila u shpjegoi shoqeve të veta se nuk e duroi dot turpin e ngeljes në të gjithë provimet e sezonit të parë. Nga ana e tyre, familjarët, banues në fshatin Veseshtë të Skraparit, e kishin paralajmëruar 20-vjeçaren që punonte si kamariere, për shkak të gjendjes jo shumë të mirë financiare, se “nëse do të ngelte, do të kthehej menjëherë në shtëpi, pa pasur mundësinë e vazhdimit të studimeve”. Pas 20 minutash kërkim nga uniformat blu, trupi i pajetë i vajzës u gjet në det, rreth 100 metra larg bregdetit. Ekspertiza mjeko-ligjore nxori në pah se studentja gjeti vdekjen si pasojë e asfiksisë, ndërkohë që në trupin e saj nuk kishte shenja dhune.  Telefonata: Nuk e dua më jetën! Emanuela, njëra nga shoqet e dhomës së vajzës, tregon se ajo ishte tepër e mbyllur. “Jemi njohur këtë vit, por nuk jepte shumë muhabet dhe përgjithësisht ne nuk e pyesnim për gjërat e saj. Ajo punonte në një lokal si kamariere dhe ishte gjatë gjithë ditës e angazhuar me shkollë dhe punë. Nuk e kishim parë me ndonjë djalë, për të ditur nëse kishte të dashur apo jo”, thotë ajo. Shoqet shtojnë se kohët e fundit, mbyllja në vetvete e Klejdës ishte shtuar për shkak të ngeljes në provime, për të cilën prindërit nuk ishin në dijeni. Vetëm vonë në darkë, kur u shqetësuam për të dhe e morëm në telefon, ajo na tha duke qarë, se do vdiste, sepse nuk e donte jetën më”, thanë studentet për gazetën. Trupi i pajetë i Hasanagos u tërhoq paraditen e djeshme nga xhaxhallarët e dajat e saj, pasi prindërit të cilët u njoftuan mbrëmjen e së hënës nga policia, nuk mundën të përballonin dhembjen dhe të ndërmerrnin udhëtimin nga Skrapari në Vlorë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›