E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërvisht makinën, thikë barkut vlonjatit

VLORË - Një gërvishtje makine gjatë një parakalimi, ishte shkaku i një sherri me thika mes disa të rinjsh vlonjatë. Sipas policisë, ngjarja ku mbeti i plagosur rëndë 26-vjeçari Armando Guci, ndodhi dje rreth orës 13:30, në zonën që njihet si “Tregu i orizit” në Vlorë. Një grup prej 6 djemsh dolën nga dy automjetet dhe pas debatet për fajin e përplasjes së lehtë mes makinave, erdhën grushtet. Mësohet se njëri prej tyre, 18-vjeçari Klaudio Saho, nxori një thikë dhe goditi disa herë në bark njërin prej kundërshtarëve, të cilit i shkaktoi plagë të rënda. Ndërkaq, të lajmëruar nga dëshmitarët, uniformat blu mbërritën në vendngjarje, ndërsa të gjithë të rinjtë u larguan me shpejtësi. I plagosuri nuk mundi të vrapojë, duke u kapur nga policia, që e dërgoi menjëherë në spital, ku iu nënshtrua një operacioni dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia po punon për identifikimin e të rinjve të tjerë dhe ndalimin e tyre. Aktualisht është sekuestruar vetëm një automjet tip “Benz”, me targë VL 5465 B, i braktisur në vendngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›