Emërimi nga Departamenti i Drejtësisë
TIRANË - Gratë marrin në dorë pushtetin e hetimit. Tashmë, në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme një tjetër femër e fuqishme në pushtet e detyrë do të punojë përveç Ina Ramës. Por kësaj radhe ajo është amerikane. Njësia hetimore kundër krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit pranë Prokurorisë së Përgjithshme tashmë do të ketë në “oborrin” e saj edhe përfaqësuesen e Departamenti të Shtetit Amerikan, prokuroren Cynthia Eldridge. Kjo e fundit do t’i bashkëngjitet në strukturë në fakt sektorit të “Task Force”, që e nisi funksionimin e tij pak muaj më parë, kryesisht për hetimin e korrupsionit në administratën shtetërore. Cynthia Eldridge pritet të jetë një ndër drejtueset e “Task Force”, dhe me shumë të ngjarë bashkëpunëtorja më e ngushtë e shefit aktual të saj, Altin Dumanit, e cila do të atashohet në Prokurorinë e Përgjithshme dhe do të ndjekë hap pas hapi punën e strukturës së re hetimore, e cila në muajt e parë të funksionimi është treguar tepër rezultative në hetimin e korrupsionit në radhët e zyrtarëve shtetëror. Emërimi i një nga eksperteve më të mira në luftën kundër “krimit me kollare” në SHBA, i është komunikuar zyrtarisht kryeprokurores Ina Rama gjatë vizitës trijavore që zhvilloi përtej Atlantikut. Sipas disa informacioneve paraprake, ende të pakonfirmuara zyrtarisht, prokurorja Eldridge mësohet se është anëtare Këshilli e Zyrës së Përgjegjësive Profesionale, pranë përfaqësuesit të Përgjithshëm Ligjor, në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-ve. Po sipas të njëjtave burime informacioni të pakonfirmuara zyrtarisht, ajo ka punuar në Departamentin e Drejtësisë, në një skuadër të shpejtë veprimi, që investigonte lidhjet e dyshimta administrative, veçanërisht për zyrtarët e lartë të administratës në të gjithë SHBA-të. Eldridge udhëhoqi ndjekjen penale ndaj “AmSouth Bank”, bankës më të madhe rajonale që ndodhet në Alabama. Akuza çoi në konfiskimin më të madh të parave në ngarkim të një banke amerikane, 50 milionë dollarë. Ajo u specializua për rastet që kanë të bëjnë me krimin e kravatave të bardha, që kanë të bëjnë me pastrimin e parave, ku përfshihen bankat, agjencitë e sigurimit, mashtrimin me hipoteka, si dhe shumë raste të tjera. Gjatë takimeve të tjera me përfaqësues të lartë të Departamentit të Drejtësisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, kryeprokurorja u përqendrua së tepërmi në luftën kundër korrupsionit, çështje për të cilën pritet të ketë marrëdhënie të vazhdueshme me ndihmësasistentin e Prokurorit të Përgjithshëm në sektorin e përndjekjes së krimeve, Bruce Swartz. Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, thuhet se gjatë këtij takimi u përcaktuan pikat e kontaktit për bashkëpunimin në të ardhmen dhe çështjet prioritare të bashkëpunimit mes dy institucioneve. “Fjala është për shkëmbimin e ndërsjellë të informacioneve dhe bashkëpunimin në funksion të luftës kundër krimit të organizuar, si dhe krimit ekonomik dhe korrupsionit”, - thanë burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Në përfundim të vizitës, kryeprokurorja Ina Rama zhvilloi një takim me Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve, zotin Michael Mukasey, si dhe me përfaqësues të organit të akuzës pranë Gjykatës Supreme të SHBA-ve.