Të
TIRANË - Analiza e punës njëvjeçare të dy niveleve të Gjykatës së Krimeve të Rënda nxjerr “të palarat” dhe problemet e shumta me të cilat përballen pikërisht anëtarët e gjykatës që merr vendime për krimet më të rënda që ndodhin në vend. Por ndërkohë, këto gjykata kërkojnë shtimin e veprave penale që duhet të gjykohen prej tyre. Ishin kryesisht diskutimet e bëra nga gjyqtarët e Apelit për Krime të Rënda, që dje parashtruan para anëtarëve të KLD-së dhe kolegëve të tyre një sërë problemesh, duke nisur nga kushtet teknike të punës dhe deri tek mbarëvajtja administrative e këtij institucioni. Ndryshe nga kolegët e tyre të Shkallës së Parë për Krime të Rënda, të cilët nuk shprehën asnjë pakënaqësi, gjyqtarët e Apelit kërkuan llogari nga kryetari i tyre për një sërë çështjesh. Në diskutimin e tij, gjyqtari i kësaj gjykate, Gjovalin Përndoca, vuri theksin në sigurinë e gjyqtarëve. “Po gjykojmë të pandehur për krime të rënda dhe nuk kemi asnjë mbrojtje. Në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda mbizotëron një kaos total. Një polic që është, herë vjen dhe herë nuk vjen. Automjeti i vetëm që është në gjendje pune, përdoret për gjyqtaret femra, duke na lënë ne meshkujve të ekspozuar ndaj çdo rreziku”, - tha ish-anëtari i KLD-së, i cili nuk la pa përmendur as inspektimet e ushtruara nga inspektorët e ministrisë në këtë gjykatë, rezultatet e të cilave nuk u bënë kurrë publike. Gjatë diskutimit të gjyqtarit Dhimitër Laro, nuk ngelën pa dalë në pah edhe problemet që kanë të bëjnë me procedurat e hedhjes së shortit, për të cilat Laro tha se fillimisht ka qenë një problem tepër i madh, por kohët e fundit kjo çështje është përmirësuar ndjeshëm. L.Bakillari