E Diel, 1 Nëntor 2026

Telefoni i anglezit e misteri i vrasësit

LEZHË - Një kartë celulari që u gjet pak metra larg shtëpisë së Mario Pjetrushit në Shëngjin të Lezhës dhe që i përket britanikut Edward Craythorne, pritet të zbardhë telefonatat e fundit të viktimës 21-vjeçar. Sipas burimeve të sigurta të informacionit, mësohet se karta e telefonit celular të Edward-it u gjet vetëm 10 metra larg shtëpisë së Pjetrushit, njërit prej të arrestuarve për vrasjen e britanikut. Mendohet se ky element i ri do të jetë ai që do t’u vërë vulën hetimeve, gjithmonë për sa i përket konfirmimit të vrasjes së të riut nga dy të ashtuquajturit shokë të tij në Shëngjin, Mario Pjetrushi dhe Arlind Vukaj, të dy të arrestuar. Mësohet se po dje, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, u dërgoi një telegram ngushëllimi familjarëve të britanikut fatkeq, duke i shprehur dhembjen e tij për këtë rast. Topi nuk la pa përmendur edhe faktin se vrasja makabre e Edward Craythorne është një fenomen i rrallë në kulturën dhe traditat e popullit shqiptar. Telegrami i ngushëllimit “E nderuara zonja Craythorne! Me shumë hidhërim mësova për humbjen tragjike të djalit tuaj, Eduardos. Në këto momente të vështira për ju dhe familjen tuaj, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të thella dhe të sinqerta”. Duke u shprehur tejet i shokuar nga kjo ngjarje, presidenti i Republikës siguroi zonjën Craythorne dhe vajzat e saj se “drejtësia shqiptare do të godasë pa mëshirë autorët e kësaj vepre makabre, e cila nuk pasqyron aspak vlerat e lashta të dashurisë, mirësjelljes dhe mikpritjes së popullit shqiptar ndaj mysafirëve të një vendi tjetër”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›