Ngatërrojnë burrin me babanë, humbin pensionin
ELBASAN - Kanë vënë emrin e burrit në vend të babait, humbasin pensionin dhjetëra gra të zonës së Belshit dhe Sulovës në Prefekturën e Elbasanit. Gabimet janë bërë në kohën e diktaturës dhe ende mbetet i paqartë fakti se përse gratë e asaj kohe regjistruan emrin e bashkëshortit në vend të emrit të babait. Ndoshta një traditë e zonës, e cila tashmë u kushton pensionin. Por kohët e fundit, në degën e sigurimeve shoqërore në Elbasan janë konstatuar qindra raste me gabime në emrat e përfituesve, mangësi në dokumentacion, emra të rremë etj., çfarë presupozon ekzistencën e informalitetit në këtë sektor. Gabimet më të mëdha konstatohen në kohën e diktaturës. Ndoshta për shkak të injorancës, punonjësit e ish-kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore kanë bërë gabime trashanike në emra. pasojat e të cilëve po i vuajnë aktualisht qindra pensioniste. Tanimë, ato duhet t’i drejtohen gjykatës për të përfituar pensionin. Sipas drejtorit të degës së sigurimeve shoqërore, Pavllo Jorgaqi, “nëse dokumentet janë në rregull dhe gjithçka korrespondon me gjendjen civile dhe me historikun e aktivitetit në punë të shtetasit, pensioni përfitohet menjëherë”. Sipas Jorgaqit, kohët e fundit situata është bërë shumë shqetësuese. Vetëm gjatë këtij viti numërohen mbi 500 raste gabimesh në emra. Më i theksuar është ky problem në zonat rurale, por edhe në ish-ndërmarrjet shtetërore.