E mbajnë ritmin
Teatri i vetëm i Kukullave dhe i të Rinjve në Kosovë “Dodona” vitin 2010 e cilësoi të suksesshëm duke pasur parasysh që gjatë këtij viti “Dodona” ka realizuar tetë premiera, gjashtë në skenën e mbrëmjes dhe dy në Teatrin e Kukullave, ndërsa ishin rreth 176 repriza, pothuajse çdo ditë nga një. Me sukses cilësohet edhe pjesëmarrja në shumë festivale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Edhe drejtori i “Dodonës” Agim Selimi, është i kënaqur me punën që është bërë.
“Natyrisht, çdo teatër do të ishte i kënaqur me sukseset e cekura më lartë, qoftë me numrin e shfaqjeve, me reprizat e mbi të gjitha me çmimet e fituara. Suksesi është edhe më i madh, kur merret parasysh fakti se Teatri Dodona vepron me një buxhet minimal”, u shpreh Selimi.
Edhe për këtë vit, Selimi shprehet optimist që do të mbahet ritmi i filluar. “Për shfaqjet e skenës së mbrëmjes kemi paraparë tetë premiera, për çka jemi në konsultime për regjisorë dhe tekste. Do të kemi edhe dy premiera për teatrin e kukullave. Si risi mund të themi që këtë vit në repertor do ta kemi edhe Kadarenë. Por, do të përqendrohemi në vitin jubilar të Dodonës, çerekun e ekzistencës si Teatër” u shpreh Selimi. Rreth mesit të shtatorit “Dodona” do të organizojë një festival të Teatrit të Kukullave, ku pjesëmarrëse do të jenë vendet e rajonit.
Sipas Selimit, ky festival do të themelohet këtë vit me synimin që të jetë tradicional dhe më i veçanti i këtij lloji në rajon. “Vitin e kaluar ishim bashkorganizator me produksionin Arena, të një Festivali të Teatrove Ballkanike, dhe besoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe këtë vit”, tha ai.
Studentët e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, shumë shpesh kërkojnë mbështetje nga “Dodona”, gjithmonë studentët e regjisë së teatrit kanë gjetur mbështetje nga ky teatër për punët e tyre studentore, se si funksionon ky bashkëpunim apo si do të vazhdojë, Selimi tha: “Ne e çmojmë kontributin e studentëve. Mendojmë që Teatri Dodona është një mundësi e mirë për ta, ndaj do të përpiqemi që me një marrëveshje me Fakultetin e Arteve dhe Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, do të krijojmë kushte më të mira dhe më të favorshme për këtë bashkëpunim. Sepse, deri tash, të gjitha favoret për ta i kemi bartur ne si institucion teatror. Ndërsa, Universiteti i Prishtinës dhe Rektorati ka vite që nuk i kryejnë obligimet e tyre ndaj këtij institucioni”.
Vitin e kaluar “Dodona” pati një buxhet prej 13 mijë eurosh. Premtimet për këtë vit janë shumë më të mëdha, sipas Selimit. “Ende nuk e dinë saktë sa do të jetë buxheti për këtë vit, por mendojmë se buxheti duhet të jetë së paku 50 mijë euro, që Dodona të funksionoj normalisht. Shpresojmë se do të na mbështes edhe Ministria e Kulturës, sepse jemi teatri i vetëm Kukullave dhe të Rinjve në Kosovë, ndaj meritojmë mbështetje nga Departamenti i Kulturës dhe i Rinisë së kësaj ministrie”, u shpreh Seilimi.
Viti 2010
Gjatë vitit 2010 “Dodona” ka marrë pjesë në shumë festivale, kombëtare dhe ndërkombëtare, u kthyen me disa çmime: duke filluar nga Festivali i parë me karakter kombëtar në Therandë, në të cilin janë marrë dy çmime - aktorja më e mirë Edona Reshitaj, me shfaqjen “Kopshti Zoologjik”, me regji të Elmaze Nurës, dhe aktori për rolin dytësor, Mentor Zymberaj, me shfaqjen “Guraja pa Emër”. Në Festivalin e Teatrit Evropian të Kukullave në Pogradec, ka marrë çmimin Regjia më e Mirë, me shfaqjen “Princesha dhe Dragoi”, me regjinë e Melihate Qenës. Në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Dibër, shfaqja “Lamtumirë Nënë”, me regji të Drita Begollit, fitoi çmimin Regjia më e Mirë. Ndërsa, në Festivalin e 40-të, jubilar, të Teatrove në Ferizaj, aktore për rolin e dytë më të mirë është shpallë Xhejlane Tërbunja me shfaqjen “Lamtumirë Nënë”. Ndërsa shfaqja “Një Përkujtim në Kafe Teatër”, me regji të Haqif Mulliqit, ka fituar shumë çmime në nivel kombëtar. Kjo shfaqje ka marrë pjesë edhe në Festivalin e Parë Ballkanik në Tiranë, pastaj në Strumicë, Kumanovë, Cetinje dhe Jordani. Ndërsa, shfaqja “Maturantët”, me regji të Faik Gashit, ka marrë pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë në Preshevë, dhe është shpërblyer me Çmimin Special të Jurisë, për interpretim, regji dhe dramaturgji.