E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia zhytet gjithnjë e më keq në recesion

Ekonomia e Maqedonisë po bie me shpejtësi të madhe pas shumë vitesh rritjeje të qëndrueshme, raportoi dje Fondi Monetar Ndërkombëtar pas një vizite në Shkup. Vëzhgimi i vazhdueshëm mbi situatën është i nevojshëm në mënyrë që problemet të mbahen në kontroll, tha kreu i misionit Wes McGrew.

"Rënia e kërkesës për eksporte dhe vështirësitë për të marrë financime nga jashtë do të kenë ndikim negativ në ekonomi", tha McGrew.

"Këto forca do të shkaktojnë rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit si dhe një rikuperim të papërfillshëm vitin e ardhshëm".

Kriza ka vënë në vështirësi qeverinë e Maqedonisë, e cila po arkëton gjithnjë e më pak taksa. Ajo programoi shkurtimin e shpenzimeve të qeverisë, gjë që u përshëndet nga FMN, por fondi paralajmëroi se ndoshta ulja e shpenzimeve me 9 për qind është e pamjaftueshme.

"Rënia e eksporteve dhe remitancave e bën të vështirë reduktimin e deficitit të llogarisë korrente, ndërsa investimet e huaja janë pakësuar gjithashtu", - tha FMN.

Në krahun pozitiv, FMN vëren se sistemi bankar në Maqedoni është i aftë të përballojë tronditjet, ndërsa vlerësoi faktin se inflacioni ka rënë në zero nga 8 për qind që ishte vitin e kaluar. FMN vlerëson se Maqedonia nuk ka nevojë për paratë e saj, së paku për tani, por se do të vijojë të mbikëqyrë situatën dhe se është i gatshëm në ndërhyjë në çdo kohë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›