E meritoi Spanja

Spanja ishte superiore ndaj Zvicrës, në ndeshjen finale të Kampionatit Evropian U21. Spanjollët e ngritën lart trofeun, pas fitores meritore me rezultat 2:0, në kompeticionin që u mbajt në Danimarkë.
Helvetikët në këtë eveniment i përfaqësuan pesë futbollistë shqiptarë: Xherdan Shaqiri, Admir Mehmedi, Pajtim Kasami, Amir Abrashi e Granit Xhaka. Ky i fundit, bashkë me dy të parët, luajti nga minuta e parë. Mesfushori i Baselit nuk e zhvilloi njërën prej ndeshjeve më të mira personale, por ai e pranon se kundërshtari kishte diçka më shumë.
“Ne e shfaqëm lojën tonë në ndeshjet e kaluara, kështu që gjithmonë nuk mund të luash njëjtë. Spanja e meritoi fitoren. Ata ishin superiorë në aspektin teknik. Gjithmonë e kisha ndjenjën se ishin dy lojtarë më shumë në fushë. Ata lëviznin në mënyrë të jashtëzakonshme. Gjithmonë, 2-3 lojtarë janë të lirë”, deklaroi Xhaka pas ndeshjes.
“Ne duhet të shikojmë përpara. Natyrisht, duhet të bëjmë përparim për Olimpiadë. Ne e pamë se në çfarë niveli ishte Spanja dhe ne dëshirojmë t’i arrijmë ata”, vazhdoi 18-vjeçari.
Priten si heronj në Zvicër
Futbollistët e Zvicrës U21 janë pritur si heronj. Në qendër të Zurichut ishin të pranishëm qindra njerëz, që përshëndetën futbollistët helvetikë, të cilët arritën deri në finale të Kampionatit Evropian U21, ku u mposhtën nga Spanja, 2:0. Më pas, futbollistët kanë ndarë nënshkrime për shikuesit e pranishëm.
Shaqiri: Jemi ndër më të mirët
Xherdan Shaqiri pati një tjetër natë magjike, edhe pse Zvicra e tij u mposht nga Spanja në finale të Evropianit U21. Ylli i Baselit tentoi i vetëm ta çante mbrojtjen e fortë spanjolle.
“Ne u tërhoqëm prapa shumë dhe mendoj se e respektuam shumë kundërshtarin. Megjithatë, jemi ndër dy skuadrat më të mira të Evropës”, deklaroi Shaqiri për uebfaqen 20min.ch.
Mehmedi: Gjithmonë jam i dyti
Admir Mehmedi nuk po arrin assesi të fitojë tituj. Sulmuesi i Zurichut realizoi tre gola në këtë kompeticion, por është bërë e zakontë që ai gjithmonë të përfundojë i dyti.
“Në Kampionatin zviceran përfundova në pozitën e dytë me Zurichun, prapa Baselit, në Evropian në të dytin me Zvicrën, prapa Spanjës, dhe i dyti në listën e golashënuesve, prapa Adrianit. Pra, duket se jam njeriu i dytë gjithmonë. Megjithëkëtë, Evropiani U21 ishte një eksperiencë e mirë”, deklaroi Mehmedi.
Kasami: U mësova me rolin e zëvendësuesit
Pajtim Kasami, edhe një herë u inkuadrua në lojë si zëvendësues. Mesfushori shqiptar e zëvendësoi bashkëkombësin Granit Xhaka. Ai thotë se është mësuar me këtë rol, “Kam mësuar ta pranoj rolin e zëvendësuesit. Jam i qetë dhe e pranoj këtë pozitë, për të mirën e klubit”, tha futbollisti i Palermos.
Marrin komplimente nga mediat zvicerane
Edhe pse u mposhtën në finale të Kampionatit Evropian U21, futbollistët e rinj Helvetikë kanë marrë lëvdata nga mediat zvicerane. “Humbët, por ua rrëmbyet zemrat zviceranëve. Jemi të nderuar me ju”, shkruan magazina Blick. ‘Përfaqësuesja U21 e Zvicrës është numër 2 në Evropë. Ishte një nënkampion i denjë evropian”, vazhdon shkrimi.
“Përfundim i dhimbshëm i festivalit zviceran. Ekipi U21 nuk ia doli ta rrëmbejë titullin për pak”, shkruan e përditshmja ‘Der Sonntag’. NZZ shkruan se, përkundër humbjes, lojtarët zviceranë patën një eveniment të rëndësishëm dhe të suksesshëm. “Ishte një kombinim i skuadrës kombëtare dhe Barcelonës. U pa diferenca në cilësi”, shkruan NZZ.