E Shtunë, 31 Tetor 2026

E nisin mbarë

Përfaqësuesja e Gjermanisë, ku luan Fatmire Bajramaj, e ka nisur mbarë Kampionatin botëror të femrave. Gjermanet e mposhtën Kanadanë me rezultat 2:1 derisa futbollistja kosovare luajti vetëm nëntëmbëdhjetë minuta në këtë përballje. Nga Express më 27 qershor 2011 në ora 12:33

Përfaqësuesja e Gjermanisë – ku luan futbollistja kosovare, Fatmire Bajramaj – mirë e ka nisur Kampionatin botëror të femrave, i cili filloi të dielën në shtetin gjerman.

Nikoqiret e këtij Botërori të dielën mbrëma shënuan fitore në xhiron e parë të fazës së grupeve ndaj Kanadasë me rezultat 2:1, në Grupin A.

Mesfushorja ofensive nga Istogu është inkuadruar në minutën e 71-të në vend të Behringerit. Njëra prej futbollisteve më të mira në botë, Fatmire Bajramaj mirë luajti gjatë atyre nëntëmbëdhjetë minutave të fundit të takimit.

Vendaset ia dolën të kalojnë në avantazh prej 1:0 në minutën e dhjetë të ndeshjes me golin që e shënoi me kokë Garefrekes.

Gjermania e dyfishoi epërsinë në minutën e 42-të me golin që e realizoi Okoyino Da Mbabi. Kurse, kanadezet ia dolën ta zbusin disavantazhin në 2:1 me golin e bukur që e shënoi prej një ndërprerjeje, Sinclair në minutën e 82-të.

Ndërsa, ndeshja tjetër mes dy ekipeve të tjera të Grupit A, Nigerisë dhe Francës ka përfunduar me rezultat 0:1, për francezet. Kështu, Gjermania prin në këtë grup me tri pikë, sa ka edhe Franca në vendin e dytë. Kurse, Nigeria e Kanadaja ndajnë pozitat tre dhe katër, pa pikë.

Gjermanet janë favorite që sërish ta fitojnë titullin e kampionit botëror, përkatësisht trofeun e tretë resht. Ato e kishin rrëmbyer vendin e parë edhe në Botërorin e vitit 2003 dhe atë të vitit 2007.

‘Lira’, më e paguara në Gjermani

Fatmire Bajramaj është futbollistja më e paguar gjermane që do të marrë pjesë në Kampionatin botëror për femra, që filloi mbrëmë.

Futbollistja kosovare, në ekipin e ri Frankfurt do të paguhet 11 mijë euro në muaj. Po ashtu, nga gjashtë kontratat reklamuese (duke përfshirë Nike, Expert, Schwarzkopf), ajo do të marrë shtesë 80 mijë euro në vit.

Futbollistet e tjera gjermane paguhen më pak. Birgit Prinz merr 7 mijë euro në muaj, kurse Nadine Aangerer, 5 mijë.

Ndër meshkuj, më së shumti paguhen futbollistët e Bayern Munichut, Bastian Schweinsteiger e Philipp Lahm, me nga 9 milionë euro page vjetore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›