Kujtimet

“Networking memories”, projekt ky i përkrahur nga Komisioni Evropian, i cili po implementohet në bashkëpunim të disa organizatave të shoqërisë civile nga rajoni, gjegjësisht nga Italia, Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, që tani është në Prishtinë, për gjashtë muaj, ndërsa do të jetë në periudhë të njëjtë kohore edhe në shtetet tjera.
Sipas Adelina Berishës, koordinatore e projektit në Prishtinë, në Kosovë veç ka përfunduar faza e punëtorisë, në të cilën njëmbëdhjetë të rinj janë njoftuar dhe është diskutuar për periudhën e viteve 90-ta, si ka qenë sistemi në këto vite në rajon, ndërsa më shumë është fokusuar në shtetet e ish Jugosllavisë. Kjo punëtori është mbajtur nga data 3 deri më 16 qershor të këtij viti, ku të rinjve të lindur gjatë viteve 1983-1990 iu është mundësuar t’i ndajnë kujtimet, mendimet, objektet e tyre nga e kaluara.
“Gjatë punëtorisë, të rinjtë i kemi njoftuar për atë periudhë, ndërsa pastaj prej tyre janë kërkuar të thuhen histori, apo kujtime gjatë këtyre viteve, ndërsa nga këto tregime që ata i kanë dhënë do të krijohet një dramë, të cilën do ta shkruajë dramaturgu Jeton Neziraj”, theksoi Berisha.
Kjo dramë do të realizohet si shfaqje, ndërsa pjesë tjetër e rëndësishme e kërkuar nga të rinjtë ishin rekuizitat dhe gjithçka që iu ka mbetur nga ajo periudhë. Të rinjtë pjesëmarrës kanë sjellë disa fotografi, disa enë dhe disa gjëra tjera.
Këto rekuizita do të ekspozohen dhe do të dizajnohen nga një set dizajner i cili do të vijë nga Beogradi. Ky i fundit do të dizajnojë se si do të duket struktura e “muzeut të kujtimeve” që do të nis më një korrik, në Tetris, ku e njëjta strukturë do të përdoret si skenografi e shfaqjes e cila pritet të dalë në shtator.
Pra rezultatet e këtij projekti përfshijnë prodhimin interaktiv të një shfaqjeje teatrore për ‘kujtimet e huazuara’ nga të rinjtë e Kosovës, Bosnjës dhe Serbisë. Kjo pastaj do të përcillet me muzeun e kujtimeve, film dokumentar, përcjellës metodologjik si dhe me web-komunitet proaktiv
Berisha theksoi që qëllimi i këtij projektit është pozitiv. Ajo u ndal të qartësojë që të rinjtë nëse do të ndaleshin të mendojnë për atë kohë apo për ato vite, prind tanë kanë udhëtuar, kanë pasur mundësi më shumë se sa kemi ne tani, ndërsa ky projekt mundëson të shfaqim se si ne e shohim atë periudhë dhe çka dimë për atë periudhë për të cilën kemi nostalgji por nuk e kemi përjetuar. “Projekti jep shumë mesazhe, të cilat mund të dalin, ndonëse një që ka shumë rëndësi. Edhe pse jemi nga këto vende, Bosnja, Kosova dhe Serbia, të cilat kanë qenë në konflikt, të rinjtë edhe sot mund të bashkëpunojnë dhe të kenë një projekt interesant si ky”, tha Berisha.
Objektivë tjetër e rëndësishme e këtij projekti është që të forcojë organizimet kulturore dhe bashkëpunimin në rajon. Qëllim tjetër i projektit nuk është që të vajtojmë për të kaluarën, apo të tentojmë të kthejmë sistemet politike të asaj kohe, por kujtimi i ndjenjave të përbashkëta dhe kujtimet në një nivel të pastër njerëzor. Nikoqir për periudhën e parë të implementimit të projektit është Kosova, gjegjësisht, Qendra Multimedia.