E Shtunë, 31 Tetor 2026

E meritonim!

Nuk ndodhi ndonjë çudi. Thjesht ajo që pritej: na refuzuan për të disatën herë statusin e vendit kandidat. Edhe reagimi i kreut të qeverisë ishte ne vazhden e traditës së tij: fajin e kanë të tjerët. Por këtë radhë nuk ja la fajin Europës, por e drejtoi topin që shtie të pëgëra, opozitës. E deklaroi nga tribuna e konferencës së përbashkët për shtyp, që mbajti së bashku me ambasadorin e BE-së Ettore Sequi, i cili kishte vajtur ti jepte mandatën. Ky i fundit iku në mes të logoresë pa kokë e fund të kryetarit të qeverisë. Ishte një shenjë diplomatike se nuk mund të asistonte në denigrimin e opozitës, apo ju lodh koka, siç i ndodh çdo njeriu normal, kur dëgjon filipiket e varfra në fjalor e ide, këtë nuk e dimë. Por Sequi pati të drejtën e Zotit që ti kursente vetes dëgjimin e hallakatjes logjike me të cilat shefi i shqiptarëve i dënon rajatë e tij çdo ditë të perëndisë. I kurseu vetes mbushjen e veshëve me shprehje rudimentare të tipit “unë i thashë”, “ai më tha”, “dëgjo mor zotëri”, “jo mor zotëri”. Iku për mos dëgjuar, se ftesës publike të opozitës për dialog, Berisha deklaroi se i ishte përgjigjur privatisht, a thua se bëhej fjalë për pazare, akuzë me të cilën rishtas nuk nguroi të sulmojë opozitën. Mungoi, që mos lodhte trurin me argumentet që dënonin opozitën, e cila nuk paska të drejtë as të demonstrojë, as të protestojë, dhe së fundmi as të votojë kundra për ligje në të cilat nuk i është marrë mendimi.
Kapedani ynë, në vend të bënte “mea culpan”, dhe të kërkonte falje, ju lëshua socialistëve me akuza dhe mosbrerje ndërgjegje të një gënjeshtari profesionist. Njëzet vjet mashtrime ditën për diell, apo mallkime kundërshtarësh, natën me hënë, ja kanë bërë fytyrën shollë ndaj skuqjes që bie turpi. Shante opozitën, e cila vërtet ka faj ndaj shqiptarëve, por faji i vetëm i saj është squlltësia dhe palëvizshmëria ndaj kësaj të keqeje që i bëhet vendit. Opozita ka faje, pasi edhe nëse bën ndonjë kërkesë të logjikshme, nuk ka këllqe ta mbrojë atë: bëri një ftesë me dhjetë pika dhe ndërsa nga pozita dolën dhjetë zara të Salës që ta diskreditonin, nga propozuesit nuk e shqepi gojën njeri ti dilte për zot dhe të tregonte se shumë nga këto ishin reflektim i dymbëdhjetë kërkesave të BE-së për politikën shqiptare. Njeriu, i cili dogji institucionet mallkoi kushtetutën dhe përdhosi ligjet, të cilin maxhoranca socialiste e atëhershme, megjithëse nuk kishte nevojë për votat e tij, i dha presidentin, prokurorin dhe pranonte emrat e propozuara për anëtarë gjykatash a këshillash mbikëqyrës, sot dëgjon llogjet e tij për procedurat ligjore. Socialistët e sotëm nuk kanë pse mos i përmendin nderet që i kanë bërë dikur një bukëshkali si kryetari i qeverisë së sotme dhe se çka po ndodh është një regres i politikës shqiptare.
Refuzimin të gjithë e meritonim. Socialistët e meritojnë se nuk kanë ditur në këto vite të bëjnë politikë dhe tregojnë se kush qeveris këtë vend, nuk është tjetër, veçse i njëjti i viteve të shkuara, ku mosha i ka shtuar ligësinë në vend të mençurisë. E meritojnë se edhe në paçin ndonjë alternativë progresiste për qeverisjen e vendit, këtë e kanë vetëm në mendjen e tyre dhe njeri tjetër nuk ja u di. Por mbi të gjitha e meritonte qeveria refuzimin. Njerëzit, që çdo ditë pretendojnë për arritje dhe ligjshmëri, por në realitet gjejnë shtigje, për të realizuar objektivat e tyre levantine, nuk e meritojnë të marri titullin europianë. Nuk është e tillë një gubernë, që në një krah flet për administratë moderne dhe nën rrogoz, anashkalon ligjet e rekrutimit të nëpunësve. Sa për shembull, në muajin qershor qeveria shqiptare shpalli në gazeta vende vakante në ministri dhe kryeministri, për rreth 120 nëpunës e drejtorë, por në realitet të gjitha vendet ishin të zëna me militantë partiakë dhe konkurset u bënë të trukuara. Në fund, Departamenti i Administratës Publike i legalizoi. Qoftë edhe formalisht perëndimorët nuk mund të na quajnë të barabartë me burokratët e tyre të përkorë. Nuk mund ta meritonim të na jepnin dorën, për tu ngjitur edhe një shkallë më lart drejt ëndrrës tonë, pasi nëse flasim për shtyp të lirë, ai nuk ekziston, por ka vetëm disa zëra kundër rrymës, që ende publikojnë. Nuk është shtyp i lirë, ai ku gazetari është në dorë të pronarit dhe ky i fundit në dorë të qeverisë dhe për ti shpëtuar lakut, që të dy ulin shënjestrën. Nuk quhet gazetari e lirë, kur nuk ka kontrata pune dhe shtypi lihet të mbijetojë pa marrë asnjë subvencion nga shteti, përveç reklamave shtetërore të cilat afërmendsh kanalizohen aty ku këndohet kënga që shoqëron vallen e qeverisë. Do ishte një tallje me shtypin e lirë, sikur BE-ja të na pranonte në bisedime si të barabartë, çka do nënkuptonte se ky shtyp i ngjan mjegulltas atij të vendeve anëtare. Ashtu siç nuk mund t’ia lejonte vetes që gjykatësit e saj të ngjasonin me ata shqiptarë. Kush mund ta besojë se gjyqësori shqiptar është i pavarur dhe i lirë nga korrupsioni, kur në shkollën e magjistraturës, pikërisht tek filtri që seleksionon filizat e këtij pushteti eliminohet e kualifikuara në vendin e dytë, apo nuk pranohen studentë që kanë mbaruar me mesatare mbi 9-të në shkollat italiane, ndërkohë nën dorë, qarkullojnë shifra marramendëse që ofrojnë biznesmenë për pranimin e fëmijëve të tyre, apo klane që komandojnë trafiqe droge në Angli, për të pranuar një nga pjesëtarët e tyre në këtë shkollë. Kjo lloj shoqërie mund ta ketë emrin e kriminalizuar, por jo e evropianizuar. Kjo klasë politike nuk mund të krahasohej me të ngjashmit e saj europianë, kur parlamentin shqiptar e drejton një figurë e mjerë kulturore dhe ku Kuvendi Popullor i dikurshëm ngjan me të sotmin për nga mënyra e votimit dhe klasi. Jozefina është krijesa “sui generis” se si injoranca përbuz gjithçka, që njerëzimi ja atribuon mendjes në këta katërmijë vjeçarë.
Ne të gjithë e dinim që nuk e meritonim të trajtoheshim të barabartë. Pesë kilometra larg Tiranës, në Tujan, shikon femra me çitjane, që mbartin ujë me bucelë; sa kalon policin shqiptar dhe përballesh me atë europian kur kalon kufirin kupton që nuk na ndan vetëm trau i doganës, por një mentalitet i tërë; mjafton një takim me administratën shqiptare dhe pastaj atë europiane të shtrohesh një herë në spitalet shqiptarë dhe ata europian dhe kupton se e përbashkëta jonë me ta është vetëm afërsia e vendit në të cilin na ngroh dielli.
Me kalimin e viteve edhe vendi ynë do futet në BE. Pavarësisht se votën e konceptojmë si monedhë shkëmbimi me politikanët që votojmë për një thes miell a vend pune dhe jo si kontratë sociale, Europa do na marrë në gjirin e saj. Dhe kjo ka për të qenë vetëm merita e saj dhe e askujt tjetër, ashtu siç ka qenë ajo që mbylli një sy për standardet tona dhe na futi në NATO, siç është ajo që i dhimbsemi, më shumë se sa ne, na dhimbset vetja. Nuk ka faj mësuesi për notën jokaluese, por nxënësi që nuk mëson dhe përpiqet të kalojë me hile. Shpresa jonë ishte që klasën ta merrnim me forcat tona. Por me sa duket do ndodhë si me nxënësit që ju kalon mosha dhe mbeten xhore, të cilëve ju japin klasën për efekt moshe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›