OJF-ja radikale, dosja mbërrin në Prokurori
Shoqata e dyshuar për thirrje antikushtetuese, duke nxitur rekrutime dhe armatosje njerëzish, do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Verifikohen e-mailet dhe web-site nga bëheshin thirrjet radikale
Tiranë Dosja penale ndaj shoqatës “Mbrojtja e të Drejtave Civile”, e dyshuar për thirrje antikushtetuese, tashmë ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka nisur menjëherë hetimet. Vëmendja kryesore mësohet se është përqendruar mbi një njoftim të shpërndarë ditët e fundit nga drejtuesi i OJQ-së, ku njoftohet për krijimin e një celule të armatosur me pjesëmarrës vullnetarë, e cila do të quhet Forcat Speciale “Shqiponja”. Ky e-mail, që ka mbërritur në disa adresa mediash e gazetarësh, tashmë është sekuestruar nga prokuroria, e cila ka angazhuar Antiterrorin dhe sektorin kundër krimeve kompjuterike të hetojnë gjithë veprimtarinë e shoqatës “Mbrojtja e të Drejtave Civile”. Fillimisht grupi i hetimit do të verifikojë vërtetësinë e njoftimit për krijimin e grupit të armatosur dhe më pas do të procedojë me hetimin e veprimeve konkrete në këtë drejtim. Njoftimi i shpërndarë më 22 shtator nëpërmjet e-mailit të drejtorit të kësaj OJF-je ka vënë në lëvizje njësinë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, e cila, edhe pse nuk ka mundur të sigurojë materialin e plotë, ka referuar çështjen në prokurori. Sipas ekspertëve të kësaj njësie, dyshohet se shoqata në fjalë, e themeluar nga katër gazetarë me banim jashtë vendit, mund të ketë tendenca radikale ose terroriste. Veprimtaria e kësaj shoqate, që në thelb ka mbrojtjen e të drejtave civile, kohët e fundit, sipas policisë, duket se ka kaluar kuadrin ligjor mbi të cilin funksionon. Rasti më flagrant është thirrja për krijimin e një organizate të armatosur me baza vullnetare, duke paralajmëruar madje se aplikantët do të pajiseshim me armë të kalibrave të ndryshëm, për të qenë të gatshëm në çdo situatë. Burimet pohojnë se pas verifikimit të vërtetësisë së këtij njoftimi do të hetohet nëse ka patur ose jo veprime konkretë në këtë drejtim, pra nëse është krijuar një grup i tillë i armatosur. Me urdhër të prokurorisë mund të ushtrohen edhe kontrolle në zyrat e shoqatës, të cilat ndodhen në rrugën “Jordan Misa” në kryeqytet. Pak ditë më parë sektori i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim edhe me sektorin kundër krimeve kompjuterike, referuan në prokurori materialet për shoqatën “Mbrojtja e të Drejtave Civile”, pasi dyshohet se ka kryer veprimtari antikushtetuese. L.Bakillari