E meritova ‘Topin e Artë’

Ylli argjentinas, Lionel Messi u është përgjigjur akuzave se nuk e ka merituar çmimin ‘FIFA Topi i Artë’. Në një intervistë për magazinën France Football, ai ka lavdëruar dy shokët e tij të skuadrës, njëherësh edhe kundër-kandidatë për këtë trofe, Xavi e Iniesta, për të cilët thotë se janë më të mirët në botë në pozitat e tyre.
“Nuk kam asgjë se çka të shpjegoj, nuk duhet t’i arsyetohem askujt sepse nuk kam vjedhur asgjë”, tha futbollisti i Barcelonës, i cili është lodhur me pyetjet e ndryshme për trofeun që e fitoi për herë të dytë rresht.
Të gjithë e prisnin suksesin e Iniesitas ose Xavit, por edhe këtë herë e fitoi argjentinasi. Ky ishte një zhgënjim i madh i dy futbollistëve spanjollë, edhe pse ia uruan shokut të tyre të skuadrës. “Nuk ka kurrfarë xhelozie në mes nesh. Të gjithë jemi të bashkuar, jemi më shumë se bashkëlojtarë, jemi edhe shokë”, vazhdoi përfaqësuesi argjentinas.
Messi e ‘qan’ një rast, kur harroi t’i përqafonte Xavin e Iniestan, pasi e mori çmimin më 10 janar të këtij viti. “Më mbetet merak që, kur e mora çmimin, nuk shkova për t’i përshëndetur ata dy. Por, unë jam kapluar nga paniku, më dridheshin këmbët”, tha në fund ylli i Barcelonës.