E Shtunë, 31 Tetor 2026

E miratojnë me rritje

Qeveria miratoi projektbuxhetin e vitit 2011, bashkë me rritjen e pagave e cila u bë pa pëlqimin e FMN’së. Tash presin fjalën e Kuvendit të Kosovës. Për pagat dhe mëditjet janë ndarë 383 milionë, ose 23 për qind më shumë se vjet, ndërsa për shpenzimet kapitale 572 milionë euro. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore janë 1.4 miliardë - 19 për qind më të larta sesa një vit më parë. Nga Albulena Maloku më 12 mars 2011 në ora 08:39

Pagat e sektorit publik pritet të dalin me rritje në muajin prill. Qeveria e Kosovës miratoi projektbuxhetin për vitin 2011, ku përfshihet edhe rritja e pagave, ashtu siç ka marrë vendim qeveria në fillim të vitit.

Në mbledhjen e qeverisë nuk është folur fare nëse FMN’ja është pajtuar me këtë rritje të pagave. Burime të Express tregojnë se kjo rritje është bërë pa pëlqimin e këtij institucioni. Brenda këtij viti rreth 383 milionë do të jenë shpenzime për paga dhe mëditje, e për investime kapitale janë ndarë 572 milionë euro. Mbi 50 për qind të tyre do të shkojnë në autostradën Vërmicë - Mërdare.

Projektbuxheti u miratua me unanimitet në mbledhjen e qeverisë, i cili shumë shpejt pritet të shkojë në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se qeveria, të cilën e udhëheq ai, është qeveri e realizimit të premtimeve.

“Është dhe do të jetë qeveri e vendimeve të mëdha në të mirën e gjithë qytetarëve të vendit. Ne do të realizojmë edhe më tepër se zotimet në mandatin katërvjeçar 2011-2014”, tha kryeministri Thaçi.

E ministri i Financave, Bedri Hamza, shpjegoi në tërësi rrjedhën buxhetore dhe tha se me qëllim të akomodimit të ngritjes së pagave është dashur të bëhen edhe shkurtime në kategori të caktuara, po të cilat shkurtime nuk rrezikojnë efikasitetin e punës së institucioneve shtetërore.

“Me këtë buxhet insistohet për përdorim më me nikoqirllëk të parasë publike, ndërsa reduktim të shpenzimeve do të ketë kryesisht aty ku janë në pyetje karburantet, reprezentacion, bisedat telefonike...”, ka thënë ministri Hamza.

Objektivi kryesor i qeverisë, sipas tij, ka qenë ruajta e qëndrueshmërisë fiskale dhe kredibilitetit planifikues, duke respektuar përkushtimin e qeverisë për krijimin e kushteve për një rritje të qëndrueshme ekonomike.

“Buxheti i vitit 2011 është në funksion të rritjes ekonomike, e cila pritet të jetë në normën prej 5.3 për qind, përderisa norma mesatare e rritjes së BPV-së për periudhën 2011-2013 parashihet të jetë 5,1 për qind”.

Kjo rritje ekonomike, sipas tij, është parashikuar në masë të madhe të ndikohet nga rritja e konsumit, eksporteve si dhe investimeve.

Në projektbuxhetin e vitit 2011 për pagat dhe mëditjet janë paraparë të jenë 383 milionë euro ose 23 për qind më shumë se në vitin 2010. Ndërsa shpenzimet e përgjithshme buxhetore janë projektuar të jenë 1 miliard e 434 milionë euro, apo rreth 19.3 për qind më të larta sesa ato në vitin paraprak.

Në strukturën e shpenzimeve ka disa ndryshime krahasuar me vitin e kaluar, por kjo, sipas ministrit Hamza, nuk rrezikon funksionimin normal të asnjë mekanizmi shtetëror, përkatësisht të asnjë segmenti të agjencive buxhetore.

Shpenzimet kapitale për këtë vit janë paraparë të jenë 572 milionë euro, që paraqet një ngritje gati 25.6 për qind krahasuar me realizimin e shpenzimeve të vitit 2010.
Për mallrat dhe shërbimet janë paraparë të jenë 184 milionë euro, duke shënuar një ngritje prej 1 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Historia e vendimit për rritje të pagave i ka rrënjët që nga fushata elektorale e zgjedhjeve të fundit. Kryeministri Thaçi u kishte premtuar punëtorëve në shumë sektorë se do t’i marrin pagat me rritje që nga muaji janar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›