Jetojnë nga hekuri
Kishin ardhur nga Vitia në Orlloviq të Prishtinës, për një jetë më të mirë, por u doli e kundërta. Dy pleqtë, Hamdi Vitia e Idriz Zeneli, edhe 13 vjet pas luftës nuk e gjetën atë që e kërkuan. Prandaj, janë detyruar të jetojnë nga bërlloku.
Përballë shtëpive të tyre ndodhet një breg, që të çon drejt varrezave të qytetit. Në atë breg, çdo ditë dikush hedh mbeturina, çast të cilin Hamdiu dhe Idrizi e presin me padurim. Sepse janë pikërisht këto mbeturina, prej të cilave këta dy pleq ushqejnë familjet e tyre. Pavarësisht moshës së shtyer, këta dy pleq çdo ditë nisen nga shtëpitë e tyre në drejtim të bregut, për të mbledhur hekura, kanaqe dhe çdo material tjetër nga i cili mund të fitojnë të holla për mbijetesë.
Derisa i ndante pjesët e mbeturinave që i hynin në punë, 71-vjeçari Hamdi Vitia kujton kohën kur ai kishte një punë stabile, nga e cila bënte një jetë modeste. Hamdiu për më shumë se 30 vjet ishte punëtor i ndërmarrjes “Gërmia”. “Kam punu aty gjatë gjithë rinisë sime. Kur u privatizua, kush më nuk na ka bërë hesap që ekzistojmë. Edhe pare borxh na kanë metë”, tregon Hamdiu për Express.
Duke mos pasur më të ardhme në qytetin e tij të lindjes në Viti, Hamdiu vendosi që pas luftës, bashkë me familjen e tij të jetonin në Prishtinë. “Shtëpia në Viti m’u ka kallë. Vendosa me ardhë këtu për një jetë më të mirë. Thosha që do të gjeja unë edhe djemtë e mi një punë sa për të mbijetu”, rrëfen ai.
Por atij nuk i doli ajo që e priste. Prandaj, në pamundësi për të gjetur punë për shkak të moshës, Hamdiu detyrohet që çdo ditë të shkojë në deponi të mbeturinave, afër varrezave të Prishtinës, në lagjen Arbëria. “Vij për të marrë hekur, të cilin e çoj në shtëpi, e tani e shes në hekurishte”, shprehet plaku Hamdi.
Me të hollat që fiton nga shitja e hekurit, ai mban familjen e tij që përbëhet prej 8 anëtarëve. Përveç këtyre të hollave, ai gjithashtu merr edhe një pension prej 80 eurosh. Megjithatë, Hamdiu thotë se jeta në kryeqytet është shumë e shtrenjtë për t’i dalë ballë me të hollat që ai mbledh çdo muaj. “Një kile hekur e shes 15 centë. Unë nuk mund t’i baj më shumë se pesë kile se tash jam plakë. Hekurin e çoj në shpi dhe më pas e paguaj një taksi për t’i dërgu në hekurishte”, tregon ai.
Hamdiu nuk fiton shumë nga shitja e hekurit, sepse me gjysmën e atyre të hollave i duhet që ta paguaj taksin. Megjithatë, ai thotë se duke mos pasur nga t’ia mbajë për të fituar bukën e gojës, detyrohet që të vazhdojë me këtë punë. “Kurrë nuk e kam mendu që pleqëria do të më vijë kështu. Kam punu për këtë shtet, i cili tash po ma kthen ndryshe”, rrëfen Hamdiu, derisa i dridhej buza nga mërzia. “Nuk po më jet merak për vete, po djemtë i kam të rritur e të martuar, e as ata nuk kanë punë. Dalin çdo ditë presin në radhë mos i merr nakush me punu. Ka raste kur me ditë të tëra nuk binë pare n’shpi”, flet i shqetësuar ai, derisa vazhdonte t’i fërkonte duart që i ishin nxirë nga mbledhja e bërllokut.
E, ndryshe nga Hamdiu, i cili merr një pension sado të vogël, shoku i tij, Idriz Zeneli nuk e ka arritur akoma moshën për marrje pensioni. Ai është 61-vjeçar, prandaj i duhet që të presë edhe tri vjet për të fituar të drejtën e marrjes së pensionit.
Idrizi thotë se e ka më të vështirë se shoku i tij, me të cilin takohet çdo mëngjes për t’u nisur në vendin në të cilin ata e konsiderojnë punë. “Ky bile ka pension. Dashtë zoti që ta mbërrij edhe unë pensionin, edhe pse nuk besoj”, rrëfen plaku Idriz për Express.
Njëjtë sikurse Hamdiu, edhe Idrizi me shitjen e hekurave mban familjen e tij. Madje, ky ka një familje më të madhe, që përbëhet prej 12 anëtarëve. “As djemtë e mi nuk punojnë, përveçse dalin çdo ditë për të kërkuar punë, e që rrallë e gjejnë”, u shpreh Idrizi. Ai thotë se edhe përkundër moshës, ndihet shumë i fuqishëm për punë, kur mendon për nipat e mbesat e tij. “Për ta i kam nxirë duart. Ndonjëherë tentojnë të vinë me mua, po unë nuk i la. Këtu në bërllok ka gjithçka, shëndeti im shkoj, bile ata të jenë mirë”, thekson ai. “Nuk e kemi meritu as unë, e as Hamdiu këtë jetë. Po qe, tash askujt nuk i bjen ndërmend për neve. Por edhe nëse dikujt i kujtohemi, e dinë ku mund të na gjejnë. Ne çdo ditë këtu jemi”, tregon Idrizi, teksa mbushte çantën me gjërat që kishin shpëtuar nga djegia e bërllokut, e që atij i duheshin.
Sidoqoftë, edhe pse të shtyer në moshë, Hamdi Vitia dhe Idriz Zeneli nuk e kanë ndërmend ta lënë t’u ikën një ditë pa mbledhur hekurat që ndodhen në bregun e mbeturinave, afër xhamisë së varrezave. Ata thonë se derisa të kenë fuqi, do të mundohen që t’ua sigurojnë bukën e gojës familjarëve të tyre, sepse këtë e ndjejnë si obligim. “Ne ua kemi borxh se ne i kemi sjellë në këtë jetë. Prandaj, derisa të mundemi me ecë, këtu do të na gjeni çdo ditë”, pohuan këta dy pleq.