E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investime pas përurimit

Sheshi “Bill Clinton” është pasuruar me dy semaforë të mëdhenj e modernë, të cilët i kanë kushtuat Komunës afër 100 mijë euro. Parashihet të hapet tender për blerjen edhe të tre të tjerëve. Vendosja e semaforëve dhe investimet e tjera pas përurimit nga ana e kryetarit, dëshmon se ai e ka prerë shiritin e kësaj rruge, ende pa u bërë pranimi teknik. Nga Lirita Halili më 12 mars 2011 në ora 08:52

Përveç zgjerimit të rrugës që lidh sheshin “Bill Clinton” me katedralen, e cila ka zbukuruar pjesën e qytetit të Prishtinës, kësaj rruge i janë shtuar edhe dy semaforë të mëdhenj e modernë. Përveç semaforëve, në të njëjtat shtylla janë vënë edhe disa tabela rrëfyese për rrugët të cilat të çojnë në qytete të tjera, apo pjesë të caktuara të Prishtinës.

Pas rregullimit dhe zgjerimit final të rrugës “Bill Clinton”, Komunës së Prishtinës i pati rënë ndër mend se i duhen disa vende, për këta semaforë modern. Prandaj, me të rregulluar kjo pjesë, atyre u është dashur që prapë të prishin skajet e trotuareve, për t’u lënë vend semaforëve.

Në kohën kur komuna pati publikuar në faqen e saj zyrtare njoftimin për dhënie të kontratës me emrin: “Furnizimi dhe montimi i dy semaforëve në rrugën “Bill Clinton”, kjo komunë njoftoi se për dy semaforë ka paguar mbi 88 mijë euro. Kjo blerje e këtyre dy semaforëve është bërë nga Ndërmarrja Tregtare Private “R.S&M”SHPK”. Kështu, një semafor, bashkë me shërbimin e montimit, por pa e përfshirë këtu mirëmbajtjen, Komunës së Prishtinës i ka kushtuar mbi 44 mijë euro.

Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se këta semaforë te kryqëzimi në rrugën “Bill Clinton”, do ta lidhin atë me rrugën “Idriz Gjilani” dhe tjetri me rrugën “Robert Dol”. “Semaforët do të lëshohen në funksion shumë shpejt dhe se janë më modernët në rajon. Këta i kanë kushtuar Komunës afër 100 mijë euro”, tregon Gashi për Express.

Sipas tij, përveç këtyre, dy semaforëve të cilët tashmë janë vënë, Komuna do të bëjë shpallje edhe për disa semaforë të tjerë. “Shumë shpejt do të shpallim konkurs edhe për tre semaforë. Nuk e di nëse do të jenë të njëjtë si këta”, pohon Gashi.

Por edhe pse Komuna e Prishtinës ka investuar shumë në zgjerimin, rregullimin dhe së fundmi vendosjen e semaforëve modernë, në rrugën “Bill Clinton”, aty duket se ka një problem.

I pari i Prishtinës Isa Mustafa, e ka përuruar projektin për zgjerimin e kësaj rruge, ende pa u bërë pranimi teknik. Përurimi u bë në nëntor të vitit të kaluar, vetëm disa ditë para zgjedhjeve në Kosovë. Përveç asfaltit, i cili ishte i gatshëm për prerjen e shiritit, semaforët, nënkalimi, madje edhe mbrojtëset anësore të rrugës, gjatë asaj kohe nuk ishin të gatshme.

Përurimin e rrugës, Mustafa e ka bërë i shoqëruar nga figura politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarë të kabinetit të tij në Komunën e Prishtinës dhe disa zyrtarë të partive opozitare në këtë komunë. Para medieve, në momentin kur e preu shiritin e kësaj rruge, kryetari Mustafa e ka cilësuar rregullimin e kësaj rruge, si projekt madhor për kryeqytetin.

Rruga që lidh katedralen me shesin ku ndodhet shtatorja e presidentit amerikan, Bill Clinton, ka nga tri korsi në të dyja drejtimet me gjithë infrastrukturën përcjellëse, ndërsa dy nënkalimet për këmbësorë, të cilat që nga ajo kohë, ende nuk kanë përfunduar komplet. Megjithatë, ai është i kalueshëm për qytetarët.

Gjatë përurimit të projektit madhështor siç e quan Mastafa, kishte thënë se edhe nënkalimi që gjendet në këtë rrugë, do të përfundojë brenda pak ditësh.
“Për dhjetë ditë, siç më është thënë, mundë të kalojnë qytetarët në pjesën e poshtme, ndërkaq, i tërë nënkalimi llogaritet që mund të bëhet deri në Vitin e Ri”, ishte shprehur ai.

Punët në zgjerimin e kësaj rruge patën filluar më 22 korrik, ndërsa afati për përfundim të punëve ka qenë 170 ditë pune. Zgjerimi i kësaj rruge, buxhetit të Komunës së Prishtinës i ka kushtuar 1 milion e 620 mijë euro, ndërsa punimet janë kryer nga kompania "Alko Impex". Zgjerimi i bulevardit ka kushtuar 580 mijë euro, ndërkaq, vetëm nënkalimi ka kaluar shifrën mbi 1 milion euro.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›