E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku janë deputetët?

Ukë Rugova vazhdon të jetë deputeti i vetëm i Listës Ibrahim Rugova, përkundër paralajmërimeve të mëhershme se atij do t’i bashkohen edhe pesë deputetë tjera nga radhët e LDK’së. Kjo situatë ka krijuar pakënaqësi brenda PDK’së. Por, drejtuesit e Listës thonë se tash për tash nuk do ta krijojnë Grupin e tyre Parlamentar. Nga Faton Ismajli më 12 mars 2011 në ora 08:36

Ukë Rugova vazhdon të jetë deputeti i vetëm i Listës Ibrahim Rugova në Parlamentin e Kosovës.

Atij nuk iu ka bashkuar askush, edhe pse më parë Bujar Bukoshi, Astrit Haraqija e Dardan Gashi thoshin se të paktën pesë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do t’i bashkoheshin djalin e Ish-Presidentit.

Përkundrazi, është Ukë Rugova që së fundi iu ka bashkuar Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re.

Kjo situatë ka nxituar pakënaqësi brenda strukturave udhëheqëse të Partisë Demokratike të Kosovës.

Burime nga kjo parti thonë se, nëse Listës nuk i bashkohen edhe deputetë tjerë, atëherë anëtarë të Kryesisë së PDK’së mendojnë se duhet shqyrtuar ndarja e posteve për këtë subjekt politik.

“Përpara se t’i jepen postet e premtuara të zëvendësministrave, duhet parë se cila është fuqia e Listës në Parlament”, ka thënë një anëtar i Kryesisë së PDK’së, në kushte anonimiteti.

Aktualisht, Lista Ibrahim Rugova mbanë postin e Zëvendëskryeministrit, një Ministri dhe i janë premtuar edhe dy zëvendësministra.

Por, kjo nuk përbën problem për Dardan Gashin, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Ne kemi thënë edhe para se të ndodh votimi për President se nuk po na duhen ata deputetë kurgjo hiç”, ka thënë Gashi, për Express.

“Njëherë për një herë jemi të përqendruar në punët e Qeverisë dhe nuk jemi duke punuar në atë drejtim”, ka shtuar ai.

Dardan Gashi mohon se postet e marra në Qeveri të jenë kushtëzuar me deputetë në Parlament.

“Postet nuk janë dhënë me atë premtim se i kemi ata deputetë. Kjo ka qenë marrëveshje tjetër, s’ka pasur lidhje me ata deputetë”.

Megjithëkëtë, në partinë e Isa Mustafës vazhdimisht kanë mohuar mundësinë që ndonjë deputet i tyre të kalojë në anën e Listës Ibrahim Rugova.

Bujar Bukoshi, njëri prej përfituesve më të mëdhenj nga koalicionit më PDK’në, nuk ka dashur të flasë për premtimet se kanë mbështetjen e disa deputetëve të LDK’së.

“Jam në takim dhe nuk mund të përgjigjem”, ka thënë Bukoshi, pasi që e ka dëgjuar pyetjen.

Ndryshe, një nga themeluesit e Listës, Astrit Haraqija, vazhdon të besojë se disa deputetë të LDK’së janë në anën e tyre.

“Ne i kemi gjashtë deputet realisht. Kur të vjen koha ju njoftojmë për emrat. Por deri në qershor s’po duam me marrë asnjë aksion”, ka thënë Haraqija, për Express, të premten.

“Ne mundemi të tërhiqemi krejt nga Qeveria. Nuk i kemi fare problem postet”, ka thënë Haraqija, kur është pyetur rreth pakënaqësive që ekzistojnë në PDK për ndarjen e posteve qeveritare për Listën Ibrahim Rugova.

Zyrtarisht në PDK askush nuk flet për hapat që do të ndërmerren ditëve të ardhshme në raport me partnerët e koalicionit.

Nënkryetari i kësaj partie, Bajram Rexhepi ka thënë se nuk është përzier në negociatat për ndërtimin e Qeverisë, andaj nuk dëshiron të flasë rreth kësaj çështje.

“Në bazë të fuqisë politike ata kanë marrë goxha poste, megjithatë këto janë çështje të atyre që kanë negociuar. Por ne i respektojmë qëndrimet e Kryeministrit qysh do që t’i merr”, ka thënë Rexhepi, për Express.

Djali i Ish-Presidentit Ibrahim Rugova, Uka, është bërë pjesë e Parlamentit të Kosovës përmes listës zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Por, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, ai prishi marrëveshjen me AAK’në dhe hyri në Qeverinë e Hashim Thaçit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›