U hap zyra e Portit të Durrësit në Kosovë
Autoriteti Portal i Durrësit ka hapur zyrën në Prishtinë, e cila do të rrisë në mënyrë të ndjeshme qarkullimin e mallrave dhe do të jetë një avokat i biznesit kosovar që është i lidhur shumë ngushtë me portin e Durrësit.
Në hapjen solemne të kësaj zyre të premten, u tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk është i kënaqshëm, andaj hapja e kësaj zyre do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimeve të të dy vendeve.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërgjaliu theksoi se ka ardhur koha që bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë të dalë nga hija politike dhe në të ardhmen të bëhet një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve të përgjithshme në mes të dy shteteve vëllazërore.
“Pa e dëmtuar marrëdhëniet e shkëlqyera politike, ka ardhur koha që të dy vendet tash të shfrytëzojnë afërsinë e tyre që është unike për Evropën dhe të fillojnë të krijojnë modelin e bashkëpunimit ekonomik, ku këmbimi tregtar për një vit kap shumën modeste prej 65 milionë euro në të dy drejtimet të zëvendësohet me një bashkëpunimit të strukturuar, dhe komplementar, dobiprurës për të dyja palët”, ka thënë Gërgjaliu, transmeton KosovaPress.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka thënë se niveli i marrëdhënieve dypalëshe nuk është në nivelin e duhur, pasi nëse iu referohemi shifrave zyrtare rezulton Shqipëria si partner tregtar i Kosovës, është e shtata në importe.