E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kyçja e Muzeut Arkeologjik anuloi vizitën e princeshës

Muzeu Arkeologjik i Durrësit

Dako reagon ashpër në mbledhjen për turizmin. Po ikin vizitorët.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka reaguar ashpër në fjalën që ka mbajtur dje në mbledhjen e organizuar nga prefekti i qarkut për turizmin. Dako i kërkoi prefektit të qarkut, Genci Alizoti, që përpara se të ndajë detyrat për kryetarët e bashkive dhe komunave për të mirëmbajtur territorin e tyre, të ndërhyjë pranë Ministrisë së Kulturës dhe t’i kërkojë asaj të përfundojë projektin e nisur për rehabilitimin e fasadës së Muzeut Arkeologjik. Kryebashkiaku kërkoi të merren masa urgjente për rifillimin dhe nxitimin e punimeve në Muzeun Arkeologjik, pasi është një nga vendet që turistët duan të vizitojnë në Durrës. Madje, Dako deklaroi se edhe vetë princesha e fronit, lartësia e saj mbretërore, Mathilde e Belgjikës, e cila vizitoi disa ditë më parë vendin tonë, ka kërkuar që të shohë Muzeun Arkeologjik të Durrësit, por meqenëse ai është mbyllur përkohësisht për shkak të punimeve, ajo e anuloi vizitën në qytetin bregdetar. “Princesha nuk është e vetmja që dëshiroi të vizitojë Muzeun Arkeologjik. Ju keni qenë vetë dëshmitarë, kur edhe personalitete të tjera të larta që kanë ardhur në Durrës, qoftë edhe për arsye pune, nuk janë larguar pa vizituar Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin. Prandaj, përveç të tjerave, duhet t’u japim përparësi pasurive arkeologjike, të cilat për fatin tonë të mirë nuk mungojnë”, u shpreh Dako. Nga ana e tij prefekti Alizoti u zotua se do të bëjë gjithçka është e mundur për t’i kërkuar Ministrisë së Kulturës që të marrë masa për zgjidhjen e këtij ngërçi dhe përshpejtimin e punimeve. Punimet për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit nisën rreth një vit më parë, ndërsa ishte parashikuar që ato të përfundonin brenda 290 ditëve.

Muzeu, objektet ekspozim në dy kate
Projekti për rikonstruksionin e Muzeut parashikon restaurimin e plotë të Muzeut si nga fasada e jashtme, ashtu dhe në vënin në funksion të katit të dytë. Në këtë mënyrë, sipas arkitektëve, parashikohet të ruhet jo vetëm autenticiteti i godinës ekzistuese, por do të mundësohet edhe ekspozimi i objekteve të shumta, të cilat ruhen në vende të mbyllura për shkak të mungesës së hapësirave në Muze.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›