Prishtina fillon përforcimet

Prishtina ka nisur ta rifreskojë ekipin për edicionin e ardhshëm, në të cilin bardhekaltrit synojnë ta fitojnë titullin e kampionit, të cilin trofe e lëshuan nga dora në kampionatin e porsapërfunduar.
Klubi kryeqytetas tashmë ka arritur marrëveshje me tre futbollistë, me të cilët shpejt pritet t’i nënshkruajë edhe zyrtarisht kontratat. Bardhekaltrit janë përforcuar me ish-futbollistin e Flamurtarit dhe Hysit, Elhami Berishën, me mesfushorin Qëndrim Sejdiu, i cili pati një sezon të shkëlqyeshëm me ‘Elektricistët’ dhe me 17-vjeçarin e talentuar të Ramiz Sadikut, Amir Rrahmani.
Nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi ka thënë se janë shumë afër të arrijnë marrëveshje edhe me sulmuesin e KEK-ut, Florim Bërbatovcin, i cili në sezonin e fundit shkëlqeu me bardhegjelbrit, duke i shënuar 17 gola. Mirëpo, prishtinasit janë në bisedime edhe me disa futbollistë të tjerë.
“Këto ditë do të takohemi edhe me shumë futbollistë të tjerë, të cilët duan të luajnë për klubin tonë. Por, trajneri është ai që vendos se me cilët nga ta dëshiron të nënshkruhen kontratat”, u shpreh Muçiqi.
Ndërkohë, bardhekaltrit kanë dështuar të arrijnë marrëveshje me ish-portierin e tyre, Kushtrim Mushica, i cili së fundmi i mbrojti ngjyrat e Renovës së Maqedonisë. “Kërkesat e Kushtrimit janë të papërballueshme për klubet kosovare dhe ne atij i urojmë shumë suksese”, tha Muçiqi.
Varësisht prej përforcimeve të bëra, nënkampioni i Kosovës do t’i lirojë disa futbollistë nga ekipi. Genc Sërmaxhaj tashmë është huazuar në Gjilan, derisa nga klubi pritet të lirohen edhe Argjend Mustafa e Suad Saliagiq.
Po ashtu, edhe Labinot Haliti e Driton Vokshi mund të lirohen. Njëherësh, nuk është e sigurt mbetja e Behar Maliqit, Ilir Berishës e Astrit Fazliut, të cilët mendojnë që karrierën ta vazhdojnë jashtë vendit.