E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në telefon, pazare për operacionet

TIRANË – Dy llogari bankare dhe një klinikë private hetohen në kuadër të operacionit “Plaga e hapur”, gjatë të cilit u arrestua mjeku onkolog Agim Karaj. Burime të besueshme policore bënë të ditur për gazetën “Korrieri”, se në ditën e dytë pas arrestimit, hetimet ndaj 58-vjeçarit kanë vazhduar me verifikimet e pasurisë që dyshohet se disponon mjeku. Përveç shumës së parave që iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 8000 euro dhe 40.000 mijë lekë të reja, burimet thonë se bëhet fjalë për shuma të mëdha parash në banka. “Nuk mund të përcaktojmë ende saktë lekët që dyshojmë se ka në zotërim Karaj. Por ajo çka mund të themi me siguri, është fakti se kemi të dhëna për shuma të mëdha, për të cilat na duhen verifikimet e nevojshme”, - thanë burimet. Ndërkohë që në momentin e arrestimit, në makinë Karajt i janë gjetur edhe disa ilaçe, origjina dhe destinacioni e të cilave nuk janë përcaktuar ende.

Hetimi

Rreth një muaj më parë, policia e kryeqytetit merr një kallëzim nga një pacient i mjekut Karaj, i cili deklaron se para operacionit kirurgu i ka kërkuar shumën e 35 mijë lekëve. Pas veprimeve të para të policisë, kallëzimi i përcillet njësisë “Task Force” në Prokurorinë e Tiranës, e cila arrin të provojë të paktën një rast korruptiv të mjekut Karaj. Bëhet fjalë për një operacion që ai ka realizuar në fund të muajit shtator, ku pacienti është detyruar të paguajë shumën e kërkuar nga mjeku. Gjithashtu, nga përgjimet e policisë janë evidentuar disa biseda kur Agim Karaj përmend operacione në këmbim të parave. Burime të rezervuara thonë se gjatë periudhës që mjeku është mbajtur nën hetim, janë evidentuar disa raste korruptive, të cilat ende mbeten në fazën e dyshimeve. Lëvizja e radhës e prokurorisë pritet të jetë marrja në pyetje e pacientëve të doktor Karajt, një pjesë e të cilëve kanë pranuar se kanë paguar para nën dorë për operacionet.

Deklarata 

I fyer rëndë nga vënia e prangave dhe nga akuzat që i kanë komunikuar agjentë të antikrimit, shefi i onkologjisë ka qëndruar kryelartë deri në fund. Pasi i janë vënë prangat, ai është transportuar për në ambientet policore, ku i janë marrë deklaratat paraprake menjëherë pas arrestimit. Sipas burimeve të tjera të besueshme policore, mësohet se fillimisht ka kërkuar praninë e avokatit të tij, e më pas ka vendosur të japë pretendimet e tij. “Kam shëruar qindra e mijëra njerëz, të cilët më kanë qenë mirënjohës gjithë jetën e tyre. Unë vetëm kam shëruar jetë njerëzish e nuk kam marrë asnjë lek. Ndërsa ju më arrestoni”, -mësohet të jetë shprehur ai përpara oficerëve, të cilët i kanë marrë deklaratat. Ndërkohë që në lidhje me shumën e madhe të parave që kishte me vete në momentin e arrestimit, onkologu Karaj ka deklaruar se kanë qenë lekët e tij dhe se nuk kishte asgjë të keqe në atë mes, pasi i duheshin për shpenzime vetjake.

Operacioni

Dy ditë më parë, Drejtoria Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me njësinë “Task Force” në prokurorinë e përgjithshme arrestuan 58-vjeçarin Agim Karaj, nën akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndalimi i kirurgut të njohur u realizua pasditen e së hënës në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet, gjatë kohës që mjeku ishte duke udhëtuar me automjetin e tij. Burime pranë policisë së kryeqytetit thanë se Karaj u prangos, pasi i është provuar të paktën një rast kur ai ka marrë shumën e 35 mijë lekëve nga një pacient, të cilin e ka operuar në fund të muajit të kaluar. Menjëherë pas arrestimit, agjentët dhe oficerët e policisë realizuan një kontroll të imtësishëm në banesën dhe zyrën e mjekut Karaj, ku veç shumës së konsiderueshme të parave, gjetën edhe disa medikamente, që dyshohet se mjeku i përdorte për klinikën e tij private që ndodhet pranë Qytetit Studenti në Tiranë.

Mjekët nën akuzë

Kastriot Dautaj (korrupsion pasiv)

Xhevahir Hoxhallari (mjekim i pakujdesshëm)

Ardian Nelaj (korrupsion pasiv)

Agim Karaj (korrupsion pasiv)

 Bensar Shuteriqi (mjekim i pakujdesshëm)

Ramazan Isufi  (mjekim i pakujdesshëm)

Nuredin Fejziu (mjekim i pakujdesshëm)

Fabiola Agastra (mjekim i pakujdesshëm)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›