Edi Rama, përgjegjës për mosmiratimin e ligjeve të rëndësishme në parlament
Anëtari i asamblesë socialiste, Ylli Manjani
Anëtari i Asamblesë socialiste, juristi Ylli Manjani, fajëson politikën e ndjekur nga Edi Rama, e cila sipas tij bllokoi në mjaft raste punën e parlamentit dhe la pa miratuar një seri ligjesh të rëndësishme, të domosdoshme për integrimin evropian. Përfundimi i sesionit parlamentar për Manjanin, la pas një shije të hidhur, teksa sipas tij, Kuvendi nuk përmbushi ashtu siç duhet detyrimet e përcaktuara qartë në Kushtetutë, që është miratimi i ligjeve të rëndësishme dhe që kërkojnë shumicë të cilësuar si dhe zhvillimin e debatit parlamentar.
“Këtë sesion parlamentar Kuvendi ka dështuar të miratojë ligje dhe të bëjë reforma duke shtuar se një vit pas zgjedhjeve të 28 qershorit panorama politike është e zezë dhe kjo falë ngërçit politik dhe bojkotit të opozitës.
Kuvendi ka dështuar si nga ana juridike ashtu edhe nga ajo politike pasi është krijuar një kaos politik”, u shpreh ai.
Anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Ylli Manjani akuzoi kryesocialistin, Edi Rama se po mban peng jo vetëm debatin parlamentar, por ka kthyer edhe PS-në në një axhendë private të tij.
“Edi Rama po i humbet identitetin Partisë Socialiste, duke e privatizuar atë. PS ka humbur demokracinë, misionin e saj dhe po vjen duke humbur edhe elektorat. Partia Socialiste nuk besohet më siç besohej më parë”, u shpreh më tej, Manjani, duke akuzuar si përgjegjës për këtë situatë anormale, Edi Ramën.