E Diel, 1 Nëntor 2026

Me kë është Bamir Topi, me EURALIUS-in dhe ligjin, apo me Kreshnik Spahinë?

Përgjigjet e kryetarit të shtetit, duhet të nisin nga nënkryetari i KLD-së. Ai duhet t’i thotë publikut se ç’do të bëjë me zëvendësin e tij, tani që raporti i Brukselit e ka etiketuar atë si strumbullarin e sistemit të korrupsionit në emërimin e gjyqtarëve


Përkundër mungesës së këndvështrimeve, me të cilat po përcillet publikimi i raportit të EURALIUS-it, ekspertëve të Komisionit Evropian, lidhur me sistemin e korrupsionit që ka zënë vend në drejtësi dhe që po tutorohet nga vetë KLD-ja, koha është për të pyetur se pse nuk po përgjigjet Bamir Topi? Presidenti i Republikës është kryetari i shtetit, por edhe kryetari i KLD-së, strukturës ekzekutive që menazhon punët e drejtësisë në vend. Kjo strukturë menazhon që nga emërimet e shkarkimet e gjyqtarëve e deri tek masat disiplinore, qarkullimet e tyre, apo edhe ushtrimin e iniciativës për propozimin e nismave të ndryshme ligjore. Por sipas raportit të EURALIUS-it, pas përfundimit të të disatit mision faktmbledhës, gjithçka shkon keq, për shkak të mungesës së transparencës në punën e KLD-së. Atëherë, përse hesht presidenti Bamir Topi. Ai është kryetar i KLD-së dhe ka detyrimin të thotë se pse punët po shkojnë kaq keq në drejtësi... Alternativat nuk janë të shumta, megjithatë, gjithsesi ai duhet të rreshtohet disi. Kryetari i shtetit mund të thotë se s’është marrë shumë me punët administrative e se sistemi i korrupsionit është ngritur poshtë hundës së tij e ai s’e ka kuptuar. Në këtë rast, ai është i detyruar të linçojë nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili edhe e ndërmori reformën e Librit të Bardhë, e cila edhe me denoncimet mediatike, u mor vesh se u shndërrua thjesht në një Libër Gjobash për të gjithë strukturën që ishte nën hyqmin e Kreshnikut. Kryetari i Shtetit, si kryetari i KLD-së (një detyrim që kryetarit të shtetit i buron drejtpërsëdrejti nga Kushtetuta), është i detyruar të shprehet për raportin e EURALIUS-it, në rastin më të keq, duke u shprehur se i kuptonte kritikat e se metodika e ndjekur do të përmirësohej në të ardhmen, kurse në rastin më të mirë, do të rreshtohej fuqimisht me këtë strukturë, ndoshta duke kërkuar edhe asistencë të mëtejshme, në mënyrë që skanimi i sistemit të drejtësisë dhe çlirimi nga virusi i korrupsionit të ndodhë sa më shpejt. Në këtë rast, Bamir Topi mund të japë një koment edhe për mungesën e konsensusit të opozitës për miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative dhe të tjera nisma ligjvënëse të cilat duan shumicë të cilësuar, por që do të mund të riparoheshin disi nëse KLD-ja e Bamir Topit do të shfaqte vullnetin e duhur për bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe zvogëlim të dëmeve që vijnë nga mungesa e këtij konsensusi parlamentar. Pozicioni i fundit që mund të mbajë kryetari i shtetit është ai i anatemimit të rekomandimeve të EURALIUS-it, duke deklaruar se ai s’ka gabuar fare në vendosjen e Kreshnik Spahiut në krye të punëve dhe se ai do të vijojë të jetë në krye të punëve, sa kohë të jetë ai në krye të shtetit. Për ta thjeshtuar edhe më shumë këtë proces të përzgjedhjes së alternativave, mund t’i sugjerojmë kryetarit të shtetit që ta nisë serinë e përgjigjeve, duke iu përgjigjur pyetjes: “Pas raportit të EURALIUS-it, ç’do të bësh me Kreshnik Spahiun, zoti Topi?”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›