E Diel, 1 Nëntor 2026

“E papranueshme përdorimi i ngjarjes për të nxitur trazira”

Athina dënon përdorimin e ngjarjes së Himarës

Segmente të caktuar në Shqipëri po përpiqen të politizojnë ngjarjen e Himarës për të krijuar tensione dhe trazira. Deklarata është e ministrit të jashtëm grek, Dimitris Drutsas, e bërë gjatë një interviste në televizionin grek Skaj, si një mesazh i qartë dhe përgjigje e fortë e subjekteve politike apo individëve të caktuar që këto ditë e kanë politizuar dhe i kanë dhënë ngjyra etnike vrasjes së të riut shqiptar në Himarë, 35-vjeçarit Aristotel Guma. Duke komentuar ngjarjen Drutsas thotë se nga njerëz të veçante po kërkohet një pretekst për të sjellë trazira dhe po abuzohet me qëllim me këtë çështje, për interesa të caktuara.
Ministri i jashtëm grek, Dimitris Drutsas u shpreh se janë të dënueshme përdorimi i fenomeneve të tilla, pra incidenteve për qëllime politike apo edhe më gjerë.
“Më lejoni të mos ndaj të njëjtin mendim me ata që janë duke i përdorur fenomene të tilla, që edhe njëherë e ritheksoj se janë krejtësisht të dënueshme, si pretekste për të nxitur trazira, për t’u keqpërdorur nga disa individë apo për të abuzuar me fenomene të tilla dhe për të na krijuar probleme këtu në Greqi, që askush nuk dëshiron të ndodhin. Sigurisht që ne kërkojmë që drejtësia të vihet në vend sa më shpejtë, por ky është një rast i izoluar dhe për këtë duhet të jemi të qartë dhe pa asnjë dyshim”, u shpreh ministri grek.
Ai citon shprehimisht se është e papranueshme ajo që po demonstrojnë Vangjel Dule dhe Vasil Bollano, të cilët duke propaganduar aksidentin në Himarë, pretendojnë për motive etnike dhe se u kanoset një rrezik permanent të gjithë minoritarëve në Shqipëri.
“Ngjarje të tilla të dënueshme mund të ndodhin, por unë theksoj dhe njëherë se dukuri të tilla janë duke u përdorur si një pretekst për të ndezur probleme nga persona të caktuar, që askush nuk i dëshiron”, vërejti ai.
Droutsas vijon më tej se qeveria greke ka mbështetur mjaftueshëm dhe se ka bërë gjithçka për minoritetin grek në Shqipëri.
“Lidhur me minoritetin tonë në Shqipëri, ta themi qartë, se qeveria greke është duke bërë gjithçka dhe realisht ka bërë shumë. Kjo, sepse ne besojmë në këtë që bëjmë, sepse është detyra dhe obligimi ynë. Le të mos ketë më dyshime dhe keqkuptime sepse sa herë do flasim për minoritetin grek në Shqipëri, duhet të kuptojmë se është bërë çdo gjë e nevojshme nga pala greke dhe qeveria e saj”- deklaroi më tej ai.
Por në Shqipëri, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule apo kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, kanë shfaqur këto ditë një mendim të ndryshëm nga ai i Athinës. Vangjel Dule i mëshon linjës së urrejtjes etnike. Pas ngjarjes ai i intensifikoi takimet me minoritetin grek dhe u bë nismëtar i një greve njëorëshe të punonjësve minoritarë të administratës vendore në jug të vendit, si shenjë proteste ndaj vrasjes së të riut himarjot me kombësi dhe origjinë shqiptare. Ndërsa kryebashkiaku i Himarës e cilësoi incidentin si tentativë provokuese për minoritetin grek.
Por nuk qëndron në këtë linjë kryediplomati i Athinës, Dimitris Droutsas, i cili i bën thirrje faktorit politik të minoritarëve që të heqin dorë nga demonstrimi i preteksteve për të sajuar probleme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›