“Janullatos të shmangë interpretimet, ose të reagojë edhe për racizmin kundër shqiptarëve në Greqi”
Reagimi i PDU-së
Partia Drejtësi dhe Unitet ndjek nga afër reagimet pas aktit tragjik të aksidentit me pasojë vdekjen e një bashkëqytetari në zonën bregdetare të Himarës.
Përmes një deklarate për shtyp, PDU shpreh ngushëllimet e saj të thella ndaj familjes Gumi për humbjen e njeriut të tyre dhe i bën thirrje autoriteteve shqiptare që të veprojnë me drejtësi dhe në përputhje të plotë me faktet dhe me ligjet shqiptare për ndëshkimin e autorëve. Partia Drejtësi dhe Unitet është e shqetësuar për reagimet e tipit nacionalist të drejtuara nga qarqe të minoritetit grek në Shqipëri, por edhe qarqe nacionaliste greke, të cilat cenojnë rëndë institucionet e pavarura shqiptare. Institucionet e drejtësisë duhet lënë të bëjnë punën e tyre në përputhje me parimet profesionale dhe ligjet e shtetit shqiptar.
“Fqinjët tanë jugor, drejtuesit e organizatave të minoritetit grek dhe kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, duhet të vetëpërmbahen nga politizimi i këtij krimi dhe të respektojnë normat ndërkombëtarë të mospërfshirjes në punët e brendshme të institucioneve të pavarura shqiptare. Paragjykimi i këtij krimi, si një krim me motive etnike, kur Policia e Shtetit, por edhe një pjesë e dëshmitarëve okularë pohojnë për të kundërtën, është një shenjë që na bën të dyshojmë për një politizim të stisur, të një akti tragjik siç është humbja e një njeriu. Ky politizim, i paragjykuar, është shenjë e rëndë mosrespekti ndaj bashkëqytetarit tonë të ndjerë Aristotel Guma. Reagimet e minoritetit grek, të drejtuara nga kryetari i Omonias, Vasil Bollano dhe kryetari i PBDNJ-shit, Vangjel Dule janë raste flagrante të një tentative për të përfituar politikisht dhe për të dëmtuar Shqipërinë në mes të sezonit turistik”, thuhet në njoftimin për shtyp, të PDU-së.
PDU i referohet edhe qëndrimit të kryepeshkopit Janullatos.
Sipas kësaj force politike, Anastasi duhet të shmangë deklaratat që interpretojnë në mënyrë tendencioze krimin, pasi në raste të caktuara të racizmit dhe ksenofobisë ku shqiptarët janë vrarë nga shtetas me kombësi apo shtetësi greke, kryepeshkopi ka heshtur.
“Në gjitha rastet e tjera të racizmit dhe ksenofobisë ku shqiptarët janë vrarë nga shtetas me kombësi apo shtetësi greke, kryepeshkopi ka heshtur. Ka ardhur çasti që hirësia e tij të reagojë ose të mos reagojë në të njëjtën formë për të gjitha komunitetet, ose të dënojë çdo akt, ose të heshtë përpara çdo akti”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp të Partisë Drejtësi dhe Unitet.