E Shtunë, 31 Tetor 2026

E përbashkëta e gjithë qeverive shqiptare: roli i kushëririt të varfër

Bëni një pyetje që e vë gishtin në plagë… them plagë, sepse kam ndjesinë që kultura ka kohë që trajtohet si një e plagosur që veç duhet mbajtur në jetë, se na duhet, por pa e shëruar dot! Na duhet për fasadë, na duhet për alibi, na duhet për t’i mbushur mendjen vetes se po zhvillojmë edhe kulturë. Si mund të jetë ndryshe kur në asnjë nga lëmet e kulturës nuk ka seleksionim dhe as identifikim vlerash, kur kaosi social fshin edhe ato pak vlera që mund të gjallojnë mundimshëm, kur ngrihen në piedestal edhe format më bajate dhe të rreme të artit dhe kulturës, kur në fund të fundit s’ka kritikë! E gjitha kjo kurorëzohet shpesh me stemë institucionale, si për të hequr dhe shpresën e fundit se do ketë ndonjëherë politikë kulturore, apo ca më pak, strategji të mirëfilltë kulturore. Të gjitha këto vijnë ca nga varfëria, ca nga makutëria e ca nga mosdija jonë.

Një ndër gjërat e përbashkëta që kanë pasur të gjitha qeveritë shqiptare, është roli i kushëririt të varfër, që i lihet rregullisht Ministrisë së Kulturës në skenën e qeverisjes politike, si për nga qesja financiare, ashtu edhe për nga kostumi i kompetencave. Dhe për ta kompensuar këtë rrejshëm, asaj ministrie i shtohen emërtimet nga një qeveri në tjetrën, si për të vërtetuar se sa më shumë flet, aq më pak bën. Për sa kohë Ministria e Kulturës do jetë instrument për të zbukuruar fushatat zgjedhore apo për të neutralizuar hatërngeljet parlamentare, për sa kohë do të mungojnë vullnetet politike për ta parë edukimin kulturor si një shans qytetërimi, kultura do vazhdojë të lëngojë keq.

Madje - e di që kjo që po them është dëshpëruese -, por kam ndjesinë se më dhemb po të flas për nivelin kulturor të vendit tim. Aq sa duket se është një plagë që më mirë mos ta prek se kushedi mbyllet vetë ndonjë ditë... kur të kulturohemi vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›