Kultura kombëtare dhe politika e ditës
Asnjë herë tjetër kultura shqiptare e institutializuar nuk është dukur më e mjeruar dhe më e braktisur nga shteti se sa në ditët tona. Është e vërtetë se ekziston një Ministri e Kulturës, e cila mund të merret gjithë ditën e ditës me gjithçka, veç kulturës. Madje, mes Ministrisë së Kulturës dhe vetë Kulturës, duket se ka një armiqësi të papajtueshme. Kam qenë para dy muajsh në Shqipëri, pasi kisha lexuar të katër vëllimet e historianit John Julius Norwich për Bizantin (Byzantium). Isha mahnitur me dendësinë e referencave për Durrësin-Dyrrachium, që në librin e Norwich-it vijnë vetëm pas vetë përmendjeve të Constantinople-it. Kështu që, natyrshëm, në ditën e nesërme u gjenda në Durrës. Në shoqërinë e dy piktorëve të shquar durrsakë, N. Vasisë dhe Sh. Beqirit, pashë gërmadhat e braktisura të Amfiteatrit. Gurë të shqyer. Mure të rrënuar. Barë që mbin si për të joshur lopët përreth. Mozaiku që jeton ditët e fundit, duke humbur përherë e më tepër ngjyrat origjinale. Dhe m’u kujtua Amfiteatri i Pulës, në Kroaci (nuk po përmend Koloseun e Romës e as atë të Veronës, por atë të Kroacisë, një vendi tjetër ballkanik, aq afër me vendin tonë), me atë rregullsinë, restaurimin e vazhdueshëm dhe madhështinë e vet. E pra, Amfiteatri i Durrësit ka më tepër histori, më tepër lavdi, më tepër referenca autorësh. Por ka më pak shtet.
Ç’është e vërteta, ministritë e kulturës, tek ne, kanë traditën e mbrapshtë të qëndrimit periferik. Kjo e sotmja, më tepër se kurrë, ka provuar se parapëlqen mediokritetin bjerrak dhe anonimitetin me shkëlqim të varaktë. Është një Ministri që nuk ka një strategji a politikë të kulturës kombëtare. Madje, që duket se bezdiset nga politika e kulturës kombëtare, përderisa është e shurdhët ndaj gjithë debateve vibruese të ditëve tona. Duket se i pëlqen t’u shërbejë politikave të ditës, dhe kësisoj është e vetëpërjashtuar nga kultura.