Vdekja e ministrit të Kulturës dhe një pyetje për atë që do të vijë
Të dielën që iku, një 30-vjeçar la Tiranën për të punuar një muaj në Teatrin shqiptar të Shkupit. Këtu punë nuk ka, pa punë s’ka para, po as humor për të mbajtur moralin lart, pra s’ka as art. I riu ynë iku me kokën prapa. Sa të kthehet ka ndër mend të luftojë për një teatër të rinjsh, në tokën e Teatrit Kombëtar, në një ambient që nuk shfrytëzohet kurrë. Por ka frikë. E kush tha që punët e mira bëhen pa frikë? Kjo e tija është frikë e tjetër lloji, vjen nga shurdhëria, si fillim e drejtorit të Teatrit, i cili ka frikë për vete nga shurdhëria e ministrit të Kulturës, që sot quhet Ylli Pango, i cili ka frikë mos zelli politik nuk i shpërblehet nga kreu i qeverisë, që sot quhet Sali Berisha, i cili nuk ka frikë nga askush (as nga dija e librave – pasioni i dytë i madh i jetës së tij).
Çfarë përgjigjeje do t’i jepte ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve këtij të riu? Të aplikojë si gjithë të tjerët në drejtorinë e projekteve; të marrë kontakt me drejtoreshat balerina për artin dhe kulturën; të presë sa të bëhen pseudoreformat në institucionet e kulturës (ku është KOP-i reformator?), apo sa të ikë dhe specialisti i fundit – shkatërrimi i burokracisë në administratën shtetërore është nga dëmet më të mëdha që i ka bërë politika e dhjetëvjetëshit të fundit shtetit shqiptar.
Janë më shumë se kaq arsyet që na shtyjnë të besojmë se ministri shqiptar i Kulturës ka kohë që ka vdekur. Do të ishte çudi nëse prej atij varri ministror të vinte ndonjë zë për t’iu përgjigjur regjisorit të ri që, hem beson, hem ka frikë të besojë.
Do të ishte çudi që ministri i Kulturës t’i bënte këto radhë të dukeshin përralla që imagjinohen ngaqë në këtë vend nuk ndodh asgjë. Që nuk ndodh asgjë, do me thënë që më i larti në atë instancën e shurdhërisë, Presidenti, drekën e ha në shtëpi, tek “Fresku”. Mund të marrë edhe një sy gjumë aty rreth orës 17.00. Rituali i kreut të parë të vendit, i makinave të eskortës dhe dy motorëve të policisë rrugore që nuk ndërrojnë asnjëherë, janë ato tri rrugë në ditë, vajtje-ardhje, nga Bulevardi tek Porcelani. Cili president në botë e ka rrugën më të shkurtër për tek hallet e popullit sa ky presidenti ynë?
Kaq e ka bërë politika Shqipërinë: një unazë urbane, që mund ta lidhësh me një brez pantallonash burri. Prandaj Shqipëria mbetet një vend i vogël dhe ndryshimet nuk mund t’i bëjnë individët, sado talente qofshin.