Edhe nuk kanë haber, edhe nuk pyesin, por bëjnë sikur kuptojnë gjithçka
Nëse demokracia jonë postkomuniste ka dështuar në përmbushjen e misioneve të saj qendrore, atëherë dështimi më i turpshëm e më banal ka qenë në fushën e kulturës. Ministritë e kulturës, në çdo qeverisje janë marrë vetëm me kopjime skemash e legjislacionesh të huaja, absurde, majmunëri pa lidhje me nevojat reale organike të kulturës shqiptare dhe recepientit të kësaj kulture. Buxheti i Ministrisë së Kulturës ka qenë thjesht qesharak dhe fyes, ndërsa aktivitetet kanë qenë maskarada të vërteta populiste, pa peshë e ndikim, me ndonjë Konkurs Letrar, gjoja Kombëtar, të cilit i ka dalë boja me kohë. Pas 18 vitesh ne kemi pësuar një bankrot të përgjithshëm: skena të zbrazëta, një jetë kulturore pa periodikë letrarë, shkencorë e studimorë, një situatë të paralizuar, pa lëvizje, pa debat, ku asgjë nuk ndodh dhe asgjë nuk pritet më të ndodhë. Dështimi është i llahtarshëm. Institucioni më i lartë i planifikimit të strategjive dhe platformave shtetërore për kulturën, quhet Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një emërtesë e gjatë sa një fjalim! Një përzierje e çuditshme atributesh e sferash të ndryshme, laramane si kostumi qesharak i një klouni. Një hibrid i tillë, vetëm me kulturën s’ka punë. Ministrat e Kulturës, rrallëherë kanë pasur një strategji futurologjike: një pjesë e arteve të larta, thjesht janë mbyllur në një rreth vicioz, si fjala vjen, kultura e shkruar, dhe po bëjnë një jetë në koma. Ministrat e Kulturës te ne kanë dy të këqija: edhe nuk kanë haber, edhe nuk pyesin, por bëjnë sikur kuptojnë gjithçka. Ai që drejton këtë Ministri duhet të ketë ndjeshmërinë dhe t’i shërbejë kulturës si prifti tempullit. Protagonizmat politikë të qeverive janë dukuri nomade; ato një ditë mbarojnë, këmbehen me të tjerë. Mbetet vetëm pyetja: sa kontribuuan ata në gjallërimin e kulturës kombëtare? Ky është interesi real e pragmatik, përndryshe dhe patriotik i një drejtuesi të zgjuar e largpamës.