“E përdhunojnë dhe e burgosin”
Dubai
Një britanike burgoset se kreu marrëdhënie jashtë martese me burrin që e kapi forcërisht
Një britanike, që ka deklaruar se e kanë përdhunuar në Dubai natën e Vitit të Ri, është përballur me sekuestrimin e pasaportës nga autoritetet vendase dhe mund të burgoset pasi menjëherë është akuzuar për marrëdhënie seksuale jashtë lidhjes së ligjshme me të fejuarin. 23-vjeçarja, një myslimane nga Londra me origjinë pakistaneze, tha se ishte sulmuar nga një burë që duhet të ishte punonjës në hotelin ku ajo me të dashurin po pinin për të festuar Vitin e Ri dhe fejesën gjatë një qëndrimi festiv treditor në Dubai. Kur gruaja ka njoftuar policinë për ngjarjen, ajo dhe partneri i saj u futën menjëherë në qeli për marrëdhënie seksuale jashtë martese, që përbën një shkelje të ligjit në Emiratet Arabe. çiftet e pamartuara nuk lejohen të kenë marrëdhënie seksuale dhe si pasojë nuk mund të ndajnë një dhomë hoteli, edhe pse shumë shpesh mbyllen sytë ndaj rasteve të tilla. Për sa i përket rastit, vajza pasi kishte marrë propozimin për martesë nga i fejuari, kishte shkuar në tualet, ku një punonjës i hotelit e kishte ndjekur dhe e kishte përdhunuar. Ndërkaq akuza për përdhunim nuk do të hetohet, sepse personi i hotelit ka pohuar se ishte një marrëdhënie që gruaja e bëri me dëshirën e saj. Ndërkohë edhe ai pritet të dënohet për marrëdhënie jashtë martesore. Për sa i takon gruas, avokatët e kanë këshilluar që nëse dëshiron t’i shpëtojë burgut duhet që të hedhë poshtë akuzat për përdhunim dhe të martohet me anglezin sa më shpejt që të jetë e mundur.
#