Gjoba ndaj bizneseve që nuk u pajisën me kasa fiskale
Fier
Vetëm një pjesë e vogël e bizneseve e respektuan afatin ligjor
Subjektet e biznesit në Qarkun e Fierit nuk e kanë respektuar afatin e vendosur nga qeveria për pajisjen me kasa fiskale. Ndërsa afati ishte deri më 31 dhjetorin e kaluar, konfirmohet zyrtarisht nga dega tatimore Fier se vetëm një pjesë shumë e vogël e bizneseve ka vendosur matësit fiskalë.Zyrtarisht nga dega rajonale e Tatim-Taksave të Fierit deklarohet një shifër shumë e vogël biznesesh që kanë respektuar afatin e lënë, ndërsa thuhet se kanë nisur sanksionet e rënda për të gjithë shkelësit e këtij afati. Rudina Gjeka, shefe në departamentin e shërbimeve pranë degës rajonale të Tatim-Taksave, është shprehur se deri në datën 31 dhjetor të vitit 2009 duhet të pajiseshin me kasë fiskale 1167 subjekte të biznesit të madh. “Nga 1167 biznese vetëm 300 prej tyre kanë arritur të aplikojnë për kasë dhe kanë mundur ta blejnë atë. Pjesa më e madhe e bizneseve të Fierit e ka shpërfillur vendimin e qeverisë dhe të ministrisë”, ka thënë Rudina Gjeka. Po ashtu, shefja e shërbimeve pranë tatimeve të Fierit ka thënë se mbi 60% e bizneseve që e kanë shkelur këtë afat po kthehen sot në objekt ndëshkimesh.
“Ne po aplikojmë gjoba dhe ndëshkime të rënda për shkelësit e këtij afati. Gjobat janë të shumave të ndryshme. Deri më tani inspektorët tatimorë kanë prerë mbi 200 gjoba. Vlera e gjobave varion nga 20 mijë deri në 100 mijë lekë të reja. Nuk ka tolerime për asnjë nga bizneset që kanë shkelur afatin”, është shprehur Rudina Gjeka, e cila deklaron gjithashtu se pavarësisht kërkesave të ndonjë biznesi për t’u pajisur me kasë fiskale këto ditë të para të janarit, sërish për ta nuk ka tolerime, pasi në procesverbalet e mbajtura gjatë kontrollit të mëparshëm ata i kanë gjetur pa kasë. Por, me gjithë valën e ndëshkimeve nga inspektorët e tatimeve, bizneset në Fier pohojnë se me treguesit e ulët financiarë e kanë të pamundur përballimin e blerjes së kasës fiskale. Një kasë fiskale sot sigurohet me një çmim që shkon nga 20 mijë deri më 30 mijë lekë të reja. Kurse për subjektet e biznesit të vogël është lënë një afat deri në muajin qershor të vitit 2010 dhe treguesit e tyre për pajisjen me kasë deri tani janë pothuajse në nivelet zero. Ndërsa në Lushnjë dega tatimore e rrethit paraqet tregues më të mirë të numrit të bizneseve që janë pajisur me kasë. Sipas drejtorit të kësaj dege, mësohet se 75% e bizneseve janë pajisur tashmë me kasë fiskale. Meqenëse ka tregues të tillë, kjo degë tatimore nuk ka aplikuar ndëshkime, por ka marrë vendimin e shtyrjes për disa ditë të afatit përfundimtar. Disa bizneseve u është lënë afat deri më 15 janar dhe disa të tjerëve deri më 31 janar.
#